Lajçak takon më 4 Prill Bislimin dhe Petkoviç

Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit do të jetë temë e diskutimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në takimin që do të zhvillohet në Bruksel në nivel kryenegociatorësh më 4 Prill.

Por nga ana e tij, Kryeministri Albin Kurti kërkon zbatim të plotë të marrëveshjes së arritur më 18 Mars në Oher, duke e hedhur topin dhe detyrimet e palës serbe.

“Marrëveshja duhet zbatuar e tërë. Nuk ka mundësi që diçka të zbatohet e diçka jo. Siç nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes e aneksit, ashtu s’mund të ketë as zbatim të njëanshëm të tyre”.

I pyetur në lidhje me deklaratat, përfshirë ato të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, se themelimi i Asociacionit është urgjencë, Kurti permendi dhe kushtet e Prishtinës.

“Te fjala që thatë ju ‘urgjencë’, ajo është pikërisht te fjalia që ka të bëjë me të pagjeturit, të zhdukurit me dhunë”.

Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç do të takohen në Bruksel më 4 Prill me ndërmjetësimin e emisarit Miroslav Lajçak. Ky është takimi i parë pas marrëveshjes së Ohrit.

Tv Klan