Identifikohet në Indi gjeoglifi më i madh në botë. Shtrihet në një zonë me sipërfaqe prej 100 mijë m2, ka formë spirale dhe ndodhet në afërsi edhe të dy të tjerëve të zbuluar më parë. Kërkimet nisën nga dy kërkues në vitin 2016 mbi shkretëtirën Thar me qëllim eksplorimin e zonave arkeologjike. Fillimisht u zbuluan 8 zona që kishin potencialisht vizatime gjigande, por me studimin nga afër në terren nuk rezultuan të tilla, por ishin linja të bëra në epokën bashkëkohore me qëllim punimin e tokës.

Por në të gjitha kërkimet edhe me ndihmën e Google Earth, u vrojtuan 4 simbole që më pas u bënë objekt i studimeve më të detajuara dhe rezultatet e të cilave janë publikuar në revistën shkencore Kërkime Arkeologjike në Azi. Në studimin në terren, rezultoi se linjat e gjeogliofeve janë të gjera nga 20 deri në 50 cm dhe në përbërje janë rërë e përzier me baltë. Figura gjigande është një spirale në formë ovale e gjatë 724 m dhe e gjerë 201 m, e cila është një linjë e vetme e pandërprerë.

Ekspertët thonë se kjo është linja më e gjatë, e krahasuar edhe me gjeoglifet e famshme Nazca në Peru, ku figura me e madhe është ajo e një shpendi, e gjatë 300 m.

Ndërkohë që kërkimet e studimet për domethënien e tyre dhe përcaktimin e kohës së krijimit të gjeoglifeve të Boha-s vijonë nga një grup ndërkombëtar arkeologësh.

Klan News