Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi sot në studion e “Opinion” në Tv Klan se në rast se preket vota në zgjedhjet lokale të 14 Majit atëherë do “bëhet gjithçka”, duke nënkuptuar kështu edhe mosnjohjen e rezultatit.

“Ka një revolucion në zhvillim. Revolucion për të mbrojtur pluralizmin dhe demokracinë. Do bëjmë revolucion që të bëjmë zgjedhje. Zgjedhje me çdo kusht! Jemi demokratë dhe ndajmë shumë gjëra që na bashkojnë më tepër se na ndajnë. Alibeja me Bashën janë pengje të Ramës. Do përdorim çdo gjë demokratike dhe mosbindje civile për të drejtën tonë. Jo mosnjohja e rezultatit por do bëhet gjithçka për prekjen e votës. Ne do të marrim pjesë padiskutim në zgjedhje dhe do t’i fitojmë!”-deklaroi Berisha.

Kujtojmë se PD ka dorëzuar në KQZ dy lista anëtarësh të KZAZ-ve për zgjedhjet lokale të 14 Majit. Kryekomisionieri Ilirjan Celibashi deklaroi me 1 Shkurt se nuk vendos KQZ-ja se cilën listë do të pranojë, por janë institucione të tjera përgjegjëse. Ai theksoi se të gjitha palët duhet të angazhohen për zgjdhjen e ngërçit, pasi rrezikohet që asnjë palë të mos marrë pjesë në zgjedhje.

Pas shumë kohësh, kjo e enjte ka qenë shenjuese për PD-në pasi deputetët e të dyja palëve bashkuan firmat për kërkesën e tyre drejtuar Kuvendit për ngritjen e Komisionit Hetimor ndaj kryeministrit, sa i takon çështjes së“McGonigal.”/tvklan.al