Zhdukja e Pecorellit, prokurorët italianë regjistrojnë hetimet për vrasje dhe trafik droge



Zhdukja e Pecorellit, prokurorët italianë regjistrojnë hetimet për vrasje dhe trafik droge

08:50 11/03/2021

Kanë kaluar më shumë se 2 muaj nga zhdukja në Shqipëri e sipërmarrësit italian Davide Pecorelli, i cili është parë për herë të fundit më datë 6 Janar, para se makina e tij e marrë me qira në Rinas të gjendej në flakë në zonën e Pukës.

Mbrëmjen e së martës, në laboratorin e Policisë Shkencore të Romës në Itali mbërritën pjesë nga mbetjet kockore që u gjetën brenda makinës së djegur dhe që dyshohet se i përkasin Pecorellit. Ekspertët italianë do të përpiqen të përfitojnë ADN nga këto mbetje, pas ndihmës së kërkuar nga autoritetet shqiptare, për të konfirmuar nëse këto eshtra i përkasin biznesmenit 45-vjeçar.

Sipas një artikulli të medias italiane “La Nazione” e cila ka ndjekur që prej ditëve të para historinë e zhdukjes së Pecorellit, thuhet se prokurorët italianë kanë regjistruar hetimet për dy vepra penale. Ata po hetojnë në pistat e vrasjes dhe të trafikut të drogës. Për këtë të fundit, prokurorët italianë janë tepër konfidencialë duke mos nxjerrë informacione për shtypin.

Policia italiane është duke verifikuar edhe situatën ekonomike të Pecorellit dhe të linjës së tij të biznesit të produkteve kozmetike. Kohët e fundit, Pecorelli ka pasur probleme ekonomike me biznesin në Itali, ndërsa ishte përpjekur të zgjerohej edhe në Shqipëri duke hapur një linjë të produkteve kozmetike në Vlorë. Kujtojmë se Pecorelli ka 3 fëmijë nga një martesë e parë dhe ishte i divorcuar, ndërsa vitet e fundit bashkëjetonte me një grua nga Vlora me të cilën ka sjellë në jetë edhe një fëmijë.

Autoritetet shqiptare dhe ato italiane kanë dyshime gjithashtu që Pecorelli mund të ketë sajuar vdekjen e tij me qëllim që t’u shpëtonte borxheve ekonomike të biznesit. Megjithatë, të gjitha këto mbeten në kuadrin e dyshimeve dhe nuk përjashtohen as pista të tjera hetimore.

Ndërkohë, ajo që pritet me rëndësi është rezultati i ekspertizës mjeko-ligjore, për të përcaktuar nëse mbetjet kockore të gjetura në makinën e djegur “Skoda Fabia” në Pukë i përkasin sipërmarrësit italian Davide Pecorelli. /tvklan.al







Të ngjashme