Bilgen Aldan: Me rëndësi të diskutojmë për çdo sektor socio-ekonomik

Ka nisur në Tiranë edicioni i tretë i Javës së Integritetit në Shqipëri, një fushatë ndërgjegjësuese që synon të promovojë sjellje etike dhe përpjekjet në luftën kundër korrupsionit nga e gjithë shoqëria.

Të pranishëm ishin liderë të kompanive të mëdha vendase dhe ndërkombëtare. Kreu i Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë në Shqipëri, Bilgen Aldan u shpreh se konferenca të tilla janë të rëndësishme kur flasim për integritetin dhe qëndrueshmërinë në shumë sektorë.

“Diskutimet lidhur me integritetin dhe qëndrueshmërinë janë përgjegjësi e të gjithëve, institucioneve,  po ashtu e kompanive dhe e jona si liderë biznesesh. Po ashtu integriteti ekonomik është edhe përgjegjësi e shoqërisë civile apo e institucioneve të edukimit. Të gjithë së bashku duhet të diskutojmë lidhur me këtë dhe mbi të gjitha të veprojmë. Rregullat dhe sistemet nuk ecin përpara automatikisht, pa ndihmën tonë. Shpeshherë individët dhe kompanitë mbartin vlera të mëdha të cilat i reflektojnë në shumë sektorë të rëndësishëm”.

Referuar parametrave të besimit për 2021, ka krizë liderësh në botë dhe njerëzit po kërkojnë për lidership dhe zgjidhje të shumë problemeve sipas Bilgen Aldan.

“Referuar këtyre parametrave bizneset janë institucionet më të besueshme, çka i bën të jenë konkurruese me qeveritë, mediat dhe organizatat, me një përqindje besueshmërie prej 61% në rang global. Si CEO kompanish, ne ndihemi shumë të lumtur me rezultatin e besimit ndaj nesh dhe si lider të kompanive përkatëse shoqëria pret më shumë nga ne. 86% e njerëzve presin nga CEO-t që të flasin hapur për sfidat e shoqërisë, impaktin nga pandemia, papunësinë apo çështje të ndryshme sociale. 68% presin nga ne që të bashkëpunojmë me qeveritë për përmirësimin e problematikave të ndryshme”.

Edicioni i tretë i Javës së Integritetit në Shqipëri do vijojë në 10 ditët e ardhshme për të diskutuar mbi promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm në shumë sektorë.

Klan News