Temperaturat e larta dhe erërat vazhdojnë të favorizojnë përhapjen e flakëve të zjarrit në pjesën më të madhe të 15 vatrave të zjarrit në të gjithë vendin.

Angazhimi i 109 forcave zjarrëfikëse, pothuajse po aq punonjës të Gardës, ushtrisë dhe forcave pyjore dhe 24 makina zjarrëfikëse nuk po bën të mundur që situata e krijuar në shumë zonat pyjore vihet në kontroll.

Emergjencat civile lajmërojnë se Parku Kombëtar i Llogarasë është i pushtuar nga flakët duke u përkeqësuar gjatë ditës për shkak të erës së fortë. Për këtë arsye është kërkuar dërgimi një avioni nga qendra e përgjigjes ndaj Emergjencave Civile në BE. Ndërkohë në Dibër, Elbasan, Berat, Fier e Lezhë janë aktivizuar disa vatra zjarri. Në Shkodër raportohet për një zjarr të rënë në fshatin Lohe, në Bashkinë e Malësi e Madhe, i cili ka djegur një sipërfaqe prej 3 ha me bimë medicinale.

Në fshatin Gizavesh, Bashkia Librazhd, ka rënë zjarr në një banesë duke e shkrumbuar krejtësisht atë dhe duke djegur disa bagëti.

E vetme vatër zjarri e cila është arritur të vihet nën kontroll është ajo në malin e Dajtit ku pas ndërhyrjes së helikopterit flakët nuk janë përhapur.

Por kur panorama nuk është aspak optimiste, një tjetër fakt domethënës jep pak shpresa se me kapacitetet që ka Drejtoria e Përgjithshme e Zjarrëfikësve të mund t’i përgjigjet situatave të tilla.

Tv klan mëson se plotë 20 bashki nga 61 që ka i gjithë vendi, nuk kanë fare shërbim zjarrëfikësesh, ndaj dhe sytë janë drejtuar nga vendet fqinje ku po kërkohet dërgimi i avionëve për të shuar nga ajri zjarret e shumta që janë shënuar këtë verë.

1.Bashkia Rrogozhinë

2.Bashkia Divjakë

3.Bashkia Cërrik

4.Bashkia Përrenjas

5.Bashkia Ura Vajgurore

6.Bashkia Kamëz

7.Bashkia Vau i Dejës

8.Bashkia Finiq

9.Bashkia Këlcyrë

10.Bashkia Fushë-Arrëz

11.Bashkia Belsh

12.Bashkia Dropull

13.Bashkia Klos

14.Bashkia Konispol

15.Bashkia Libohovë

16.Bashkia Maliq

17.Bashkia Memaliaj

18.Bashkia Pustec

19.Bashkia Roskovec

20.Bashkia Selenicë

 TV KLAN