Banorët të frikësuar, shefi i zjarrfikësve apel për qetësi

Pjesa më e madhe e pallateve në lagjen e Kombinatit të Tiranës, u është vënë shiriti i kuq. Njoftimet e Institutit të Ndërtimit janë që banorët të mos hyjnë në banesat e tyre pasi janë në rrezik për shembje. Ata janë të frikësuar dhe të shqetësuar. Madje shumë të tjerë kanë nisur edhe të boshatisin banesat.

Frika dhe trishtimi duket qartë në sytë e këtyre banorëve. Normalisht banesat janë gjithçka për ta, pasi janë kursimet e një jete.

Edhe pse shiritat e kuq janë në hyrjet e pallateve të tyre ata shprehen se asnjë ekspert nuk u ka dhënë një përgjigje të saktë se çfarë do bëhet me këto banesa.

Ndërkohë që grupe të policisë, por edhe të zjarrfikëses janë gjithmonë në zonë për qartësuar banorët dhe për të kontrolluar zonën.

Shefi i zjarrfikëses së Tiranës, Luan Shehu u kërkon qytetarëve të ruajnë qetësinë. Ndërkohë që tregon se tmerri që ka parë me sy gjatë kohës së kërkimit të trupave në Thumanë dhe në Durrës do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës.

“Është një nga katastrofat që unë në jetën time s’kam për ta harruar sepse kam qenë vetë pjesëmarrës në atë operacion aq të rëndë dhe të dhimbshëm për ato familje. S’kam ç’them, është shumë e dhimbshme…”

Klan Plus