Tjetër tragjedi në rrugët e vendit.

Një automjet që drejtohej nga një 40-vjeçar goditi për vdekje mëngjesin e sotëm dy anëtarë të një familje në vendin e quajtur Mali i Robit, në aksin Golem-Kavajë. Viktimat janë 69-vjeçari Xhema Fisku dhe nusja e djalit të tij, Edlira Fisku, 34-vjeç.

Ata ishin duke pritur në anë të rrugës kur automjeti tip Toyota që lëvizte nga Plepat në drejtim të Kavajës humbi kontrollin, duke rënë mbi 69-vjeçarin, nuse e djalit dhe nipin 8-vjeçar.

Xhemal dhe Edlira Fisku mbetën të vdekur në vend, ndërsa fëmija 8-vjeçar mori plagë të rënda dhe u transportua në Spitalin e Traumës në kryeqytet. Sipas dëshmive të banorëve të zonës, vjehrri, nusja dhe i mituri prisnin autobusin për të udhëtuar drejt Beratit për arsye familjare.

Fillimisht automjeti që drejtohej nga Halil Koka u përplas me barrierën anësore dhe me pas goditi tre këmbësorët. Më pas makina u përmbys në rrugë.

Policia ndaloi drejtuesin e mjetit, 40-vjeçarin Koka, i cili udhëtonte sëbashku me pasagjeren Ilda Parroj. Kjo e fundit fillimisht deponoi se ishte ajo në drejtim makinës. Por pas hetimeve dhe marrjes së disa dëshmive në vendin e ngjarjes dhe komisariatin e Kavajës, u faktua se shofer ishte Halil Koka.

Ekspertët e policisë sqarojnë se drejtuesi ka humbur kontrollin e automjetit për shkak të shpejtësisë së madhe dhe lagështisë në rrugë. Përpos përgjegjësive të 40-vjeçarit në humbjen e dy jetëve, ky aksident mund të ishte evituar nëse shoferët e autobusëve nuk do të ndalonin në mes të autostradës për të marrë dhe zbritur pasagjerë.

Në shumë raste autobusët e linjave interurbane nuk marrin parasysh rregullat që duhen respektuar në autostrada të këtyre parametrave duke qëndruar vend e pa vend, jashtë çdo rregulli të sigurisë.

Tv Klan