1 muaj nga tërmeti i 26 Nëntorit

1 muaj nga tërmeti i 26 Nëntorit

16:07 26/12/2019

Mijëra banorë, të strehuar ende në çadra

1 muaj nga tërmeti nuk kanë mjaftuar për të zbehur gjurmët e lëna pas nga 26 Nëntori. Fatkeqësia natyrore gjunjëzoi shumë familje shqiptare, një pjesë e së cilave e vijojnë përditshmërinë e tyre në çadrat e improvizuara.

Pak metra katrore brenda një çadre janë streha e re e familjes Merepeza nga fshati Pezë e Vogël e Tiranës. Një fundvit ky aspak i zakontë për 12 anëtarët, prej të cilëve 7 janë fëmijë. 

Bukurie Merepeza, banore e fshatit Pezë e vogël: Kemi ftohtë. Banesa jonë u dëmtua, ka rënë i gjithë tavani. Një copë bukë e gjejmë, por duam një shtëpi për këta fëmijë se i kemi të vegjël.

Tërmeti ndryshoi jetën e vogëlushëve, por jo dëshirën e tyre për ta pritur Vitin e Ri mes ëndrrash.

“Duam një banesë. Kjo është dhurata që i kemi kërkuar Babagjyshit”.

Ashtu si familja Merepeza janë me qindra familje të dëmtuara nga tërmeti 6.4 balle i shkallës Rihter, i cili goditi Shqipërinë të martën e 26 Nëntorit. Pjesa më e madhe e tyre janë akomoduar përkohësisht në hotele, kampe e çadra.

Sipas të dhënave nga shtabi i emergjencës në Qarkun e Tiranës janë 651 familje të strehuara në çadra, në Qarkun Lezhë 1729 qytetarë, e në Qarkun Durrës 6075 persona.

Në Thumanë, një nga zonat më të dëmtuara nga tërmeti janë 367 persona janë zhvendosur në hotelet e Shëngjinit, ndërsa në Thumanë qëndrojnë në çadra 613 persona.

Në terren vijon ende puna për verifikimin e dëmeve. Deri më tani grupi i inxhinierëve kanë inspektuar 34.940 objekte nga të cilat 2950 objekte janë vlerësuar me dëmtime të rënda dhe si të pabanueshme.

Tv Klan




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi