Qytetet Palu dhe Dongala në Indonezi janë shndërruar në varre masive si pasojë e Cunamit që gjunjëzoi mbarë vendin. Bilanci i viktimave nuk ka të ndalur. Aktualisht mbi 1200 trupa të pajetë janë gjetur nën rrënojat e ndërtesave, por shifra përfundimtare për fat të keq pritet të jetë edhe më e lartë.

Ekipet e emergjencave vijojnë ende kërkimet për gjetjen e të mbijetuarve nën gërmadha. Krahas tragjedisë së humbjes së njerëzve, një tjetër rrezik që u kanoset të mbijetuarve është ai i përhapjes së epidemive.

Edhe më të vështirë punën e ekipeve të shpëtimit e bën mungesa e pajisjeve moderne dhe dëmtimi i rrjetit të komunikimit. Autoritetet indoneziane kërkuan ndihmë nga organizatat ndërkombëtare, pasi misioni për forcat vendase është i pamundur.

Tërmeti i fuqishëm 7.5 ballë që goditi të shtunën Indonezinë shkaktoi dallgë gjigante që shkuan deri në 6 metra lartësi që shkatërroi qindra ndërtesa. Bëhet fjalë për katastrofën më të madhe që prej asaj të vitit 2004, kur një cunami shkaktoi 120 mijë viktima në Indonezi.

Tv Klan