14 vatra zjarri janë ende aktive në territorin e vendit, pavarësisht përpjekjeve nga ajri e toka për shuarjen e tyre.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, zjarri vijon në Parkun Kombëtar të Prespës në Malin e Thatë, pavarësisht ndërhyrjes disa herë nga ajri edhe nga avioni rumun i ardhur si mbështetje nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile për Shqipërinë. Ndërsa në terren janë angazhuar forca nga bashkitë e Pogradecit, Pustecit dhe Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura.

Terreni i vështirë dhe me bimësi të thatë vështirëson edhe aksionin për shuarjen e flakëve.

Situata është problematike edhe në disa zona të tjera të vendit si në Bjeshkën e Bollotekut në afërsi të Lumit Gashit, në fshatin Ujanik, në bashkinë e Skraparit apo në vendin e quajtur “Syri i Kaltër” në fshatin Theth.

Më herët Ministri i Mbrojtjes diskutoi për strategjinë e përballimit të situatës së zjarreve me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Major Arben Kingji dhe drejtuesin e AKMC, Haki Çako.

Në përfundim të sezonit të zjarreve pritet të bëhet dhe analiza e dëmeve, pas të cilës bashkitë do të përcaktojnë edhe dëmshpërblimin për banorët e prekur.

Klan News