Negociatorët kanë zgjatur edhe me një tjetër ditë qëndrimin e tyre në në kryeqytetin e Katarit, Doha, në një përpjekje për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gaza.

Ky raund negociatash u hap të enjten dhe bisedimet do të rifillojnë të premten për një ditë të dytë, thanë zyrtarët e Katarit dhe SHBA-së. Në ditën e parë, pala izraelite e përfaqësuar nga krerët e tre agjencive kryesore të zbulimit, paraqiti listën me emrat e 33 pengjeve që kërkojnë që Hamas t’i lirojë.

Hamasi që nuk ka dërguar përfaqësues, por është në kontakt me negociatorët organizatorë të bisedimeve, kryeministrin e Katarit dhe ministrin e jashtëm të Egjiptit, ka si kusht kryesor tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga Rripi i Gazës, përpara se të pranojë një armëpushim.

Në një deklaratë të lëshuar vonë të enjten në Telegram, anëtari i Byrosë Politike të Hamasit, Hossam Badran tha se operacionet e vazhdueshme të Izraelit ishin një pengesë për përparimin në një armëpushim. Uashingtoni, ndërmjetësuesi i tretë i negociatave përmes shefit të CIA-s Uilliam Bërns është optimist për arritjen e një marrëveshjeje, ndonëse shenjat janë të zbehta.

Zyrtarët shëndetësorë të Gazës kanë raportuar se numri i të vdekurve atje kishte tejkaluar 40,000 njerëz pas më shumë se 10 muaj luftimesh. Izraeli ka lëshuar urdhra të reja evakuimi për Gazën jugore, duke mbuluar disa zona që më parë i ka cilësuar si zonë të sigurt humanitare. 

Nga ana tjetër dhjetra kolonë izraelitë u kanë vënë flakën shtëpive dhe makinave në një fshat në Bregun e pushtuar Perëndimor ku një person ka humbur jetën.

Kolonët hodhën gurë dhe kokteje molotov ndërsa sulmuan fshatin Jit, pranë qytetit të Nablus. Pamjet në mediat sociale tregojnë shtëpi dhe automjete të djegura në Jit. Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha në një deklaratë se ata që janë përgjegjës për çdo akt kriminal do të kapen dhe ndiqen penalisht.

Klan News