Ende të paqarta shkaqet e shpërthimit të flakëve

14 persona humbën jetën dhe 12 u lënduan nga shpërthimi i beftë i flakëve të zjarrit në spitalin modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientë me Covid. Të gjitha viktimat janë pacientë ndërsa konfirmohet zyrtarisht nuk ka jetë të humbura mes stafit mjekësor. Gjithçka nisi rreth orës 21:00, kur dëshmitarët thanë se fillimisht është dëgjuar një shpërthim dhe më pas zjarri u përhap me shpejtësi.

“Vrapova ndër të parët ishim aty por nuk kishte teori që diçka të intervenosh apo të japësh ndonjë ndihmë, të gjithë ishin aty me polici me zjarrfikës, drejtoria, kryetarja e komunës, ishin në vend ngjarje, por nuk mund të intervenohej sepse kaploi një zjarr që nuk e kemi pa në Tetovë asnjëherë”.

Në vendin e ngjarjes shkuan menjëherë forcat zjarrfikëse që përveç vënies së flakëve nën kontroll u përpoqën edhe të nxirrnin njerëzit nga flakët.

“Meqenëse flakët e zjarrit aq të mëdha mundoheshim që flakët t’i shuajmë por dhe në anën tjetër kolegët të bëjnë evakuimin apo nxjerrjen e njerëzve që ishin në ato objekte, kemi nxjerrë njerëz të gjallë, por fatkeqësisht edhe të vdekur, por e jona ishte vetëm që të nxjerrim njerëz dhe të shuajmë zjarr”.

Një ditë më pas aty gjithçka është shkrumbuar. Në vendin e ngjarjes janë rikthyer edhe një herë ekspertët që po përpiqen të zbardhin shkaqet e zjarrit. Presidenti Stevo Pendarovski mohoi aludimet për një zjarr të qëllimshëm.

Njëra nga viktimat është ende e paidentifikuar ndaj do të kryhet analiza e ADN-së. Në rrjetet sociale janë zbuluar histori prekëse të viktimave si kjo 21-vjeçare që hyri në spital për të shpëtuar nënën e sëmurë, por humbi jetën edhe ajo. Viktima janë edhe 2 persona babë e bir me aftësi të kufizuara. Ky mjek që sapo kishte kaluar Covid dhe priste të linte spitalin mendohet se është një tjetër prej viktimave.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur 3 ditë zie kombëtare për shkak të kësaj tragjedie.  

Tv Klan