Bankat lehtësojnë kushtet për individët, shtrëngohen për bizneset

Pandemia ka detyruar sektorin bankar që të hyjë në një proces ristrukturimi të kredive për biznese.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, afërsisht 20% e ndërmarrjeve që kanë një hua kanë kërkuar ndryshimin e termave: si në shtyrjen e pagesave të kësteve, uljen e interesave, apo zgjatjen e afateve të maturimit.

Profesori i Ekonomisë Arben Malaj, thotë se kjo është praktika më e mirë që mund të bëjnë në këtë situatë të dyja palët, si bankat dhe bizneset.

Por Malaj thotë se ridimensionimi i kushteve të kredisë duhet të bëhet vetëm për bizneset që kanë shpresa për t’u rikuperuar dhe jo ato që ndodhen në situatë falimenti.

Bankat kanë rritur perceptimin e riskut për dhënien e kredisë drejt sektorit privat dhe kanë shtrënguar kushtet për këto financime duke rritur kërkesën për kolateral dhe normat e interesit.

Një ndryshim i sjelljes së bankave gjatë kësaj periudhe po vihet re te kreditimi për individët, ku kushtet për ta janë lehtësuar në këtë periudhë. Në fund të Shtatorit kredia për bizneset u rrit me një normë vjetore 6.9%, ndërsa ajo për individë për blerje banesash u rrit me 7.3%.

Tv Klan