Dy persona dyshohet se hapën zjarr mbrëmjen e së dielës, në drejtim të një automjeti të parkuar në qytetin e Korçës. Makina Tuareg ishte në pronësi të 29-vjeçarit Mateos Aliko dhe ky i fundit dyshohet se ishte objektivi i atentatit të dështuar.

Autorët, ende të paidentifikuar, qëlluan më breshëri automatiku në drejtim të makinës së 29-vjeçarit, ndërsa ai sëbashku me një mikun e tij gjendeshin pak metra larg automjetit.

Mateos Aliko nuk është emër i panjohur për autoritetet në Korçë. Ai mësohet se kishte pak muaj që kishte dalë nga burgu. 29-vjeçari ishte dënuar më 7 vjet heqje lirie për një grabitje me pasojë plagosjen, të ndodhur në një pikë bixhozi në rrugën Dishnicë-Korçë, në vitin 2008.

Nga të shtënat e një nate më parë nuk pati të lënduar, ndërsa motivet dhe autorët e saj nuk dihen ende. Me qëllim zbardhjen e ngjarjes autoritetet policore kanë shoqëruar disa persona. 

/tvklan.al