“Çdo dy orë lëvizin 10 makina”

Situata në Kakavijë të Gjirokastrës vijon të mbetet problematike. Mijëra qytetarë shqiptarë vazhdojnë të presin të kalojnë kufirin për të shkuar në Greqi, aty ku jetojnë dhe punojnë.

Një qytetare ka dërguar për rubrikën “Kallëzo” në Tvklan.al pamje të situatës aktuale. Ajo ka treguar se qëndron atje prej tre ditësh.

“Jam një shqiptare e cila po pret në radhën e doganës për në Greqi. Këtu po kalojmë shumë tortura”, shprehet qytetarja.

Ajo tregon se po qëndron prej ditësh me 3 fëmijët e saj të vegjël, të cilët qëndrojnë në makinë pavarësisht temperaturave të larta. Për të ulur sadopak vapën, ajo shprehet se i mbulojnë mjetet me çarçafë dhe rroba. Përveç kësaj, ajo thotë se në vendin ku po qëndrojnë nuk ka kushte minimale të higjienës, ndërsa mungojnë ushqimet dhe uji.

“Kemi fëmijë të vegjël, pa ngrënë, pa pirë, pa vajtur në banjo. Po rrimë në makina në pisk të vapës. Mbulojmë makinat me çarçafë me çfarë mundet”, thotë ajo.

Sipas saj, lëvizja drejt kufirit është shumë i ngadaltë. Çdo dy orë, ajo thotë se, kalojnë vetëm 10 makina.

“Nga shteti nuk po shikoj asnjë lloj përpjekje. Kam ikur në Greqi që 7 vjeçe, edhe të kthehem në vendin tonë nuk dua vetëm e vetëm se nuk na trajtojnë si njerëz. Makinat po ecin çdo dy orë, çdo tre orë nga 10 makina e shumta. Çfarë jemi? Bagëti jemi? Edhe bagëtisë nuk i takon një sjellje e tillë”, shprehet ajo për redaksinë e Tvklan.al, ndërsa bën thirrje që të merren masa për të zhbllokuar situatën.

Siç duket edhe nga pamjet radhët janë kilometrike. Ndërkohë, qytetarët janë të detyruar që të flenë në makina natën.

Situata në Kakavijë agravoi pasi një fluks i madh qytetarësh shqiptarë me vendbanim në Greqi kërkuan të ktheheshin në shtetin helen për t’iu shmangur karantinimit që ka vendosur pala greke për shkak të koronavirusit./tvklan.al