Rajonet më të prapambetura, Gostivari dhe Dibra e madhe

Ditët e fundit situata me pandeminë e shkaktuar nga virusi korona në Maqedoninë e Veriut ka filluar të stabilizohet. Nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë se edhe presioni ndaj spitaleve ka filluar të normalizohet, e gjithë kjo sipas tyre po ndodhë si rezultat i rritjes së imunizimit të popullsisë dhe respektimit të masave. Nga ky institucion njoftojnë se deri më 4 Shtator, 44.6% e popullsisë mbi 18 vjeç dhe 54% e atyre mbi 40 vjeç, janë imunizuar të paktën me një dozë të vaksinës anti-Covid.

“Shkallë më të lartë me një dozë të vaksinës ka në qytetet Negotinë 63,4%, Kavadar 62,3% dhe Ohër 61,4%”.

Qytetet që janë të goditur nga vala më e re e koronavirusit, shënojnë rritje të shkallës së imunizimit. Në Tetovë, Kumanovë e Kërçovë përqindja është 30 deri 40%. Përqindje më të ulët të popullatës të vaksinuar të paktën me një dozë, ka në qytetet Gostivar 30,5% dhe Dibër 31,7%. Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se vaksina ka mjaftueshëm dhe bën thirrje për interesim dhe përfshirje në procesin e vaksinimit, veçanërisht popullatës më të re.

Nga atje thonë se virusi nuk i përjashton të rinjtë, ndërsa për këtë tregojnë shifrat fundit të të infektuarve. Deri më tani, në vend janë bërë gjithsej 1.197.339 teste të Covid-19. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Covid në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 180.919, numri i pacientëve të shëruar është 160.396, numri i vdekjeve është 6.129, dhe numri i rasteve aktive është 14.394.

Klan Macedonia