Dyshohet se është qëlluar nga gruaja dhe vajza

Një 47-vjeçar nga fshati Gurrë e Vogël në Klos të Matit është gjetur i vdekur në banesën e tij. Ylber Elezi dyshohet se është vrarë nga familjarët e tij pas një sherri. Policia bën të ditur se rreth orës 22:30 të së dielës, në sallën operative të Komisariatit të Policisë Mat, ka ardhur një telefonatë se në banesën e shtetasit Ylber Elezi po ndodhte një konflikt në familje.

Me mbërritjen në vendin e ngjarjes, forcat e policisë kanë hasur në rezistencë nga ana e gruas së tij, e cila nuk ka pranuar të hapë derën duke pretenduar se burri i saj ishte në gjumë. Shërbimeve të policisë iu është dashur të thyejnë derën dhe të hyjnë me forcë në banesë ku në katin e dytë kanë gjetur të pajetë trupin e Ylber Elezit.

Nga këqyrja paraprake e trupit të tij janë vënë re shenja dhune të shkaktuara me mjete të forta në pjesën e kokës, çka dyshohet se mund t’i ketë shkaktuar vdekjen 47-vjeçarit.

“Ylberi ishte godit me sende të forta në kokë. Përdorues alkooli në masë. Bashkëshortja ka qenë me probleme mendore dhe vajza me depresion prej pak ditësh. Gjendja ekonomike e vështirë, mblidhen të gjitha këto”, tha një fqinj.

Nuk dihen ende motivet e këtij krimi, por policia ka bërë shoqërimin në komisariat të gruas dhe vajzës së tij, të cilat dyshohen se janë edhe autoret e kësaj vrasje.

Tv Klan