◾Ukraina po bën thirrje për një shkëmbim të burgosurish për të liruar luftëtarët e evakuuar nga fabrika e çelikut në Mariupol. Por fati i tyre aktualisht mbetet i paqartë.

◾Qindra ushtarë janë evakuuar në zonat e kontrolluara ruse që prej të hënës. Nuk dihet sa është numri i atyre që vijojnë të qëndrojnë në qytetin port.

◾Beteja për qytetin duket se ka mbaruar pas rrethimit shkatërrues që zgjati për afro 3 muaj.

◾Rënia e Mariupolit i jep Rusisë një urë tokësore drejt Krimesë dhe kontrollin e Detit Azov, duke i prerë Ukrainës tregtinë detare.

Suedia dhe Finlanda kanë dorëzuar formalisht aplikimet e tyre për t’u bërë pjesë e aleancës ushtarake të NATO-s.

◾Ndërkohë bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës për të përfunduar luftën janë pezulluar.

Shkon mbi 900 numri i dorëzimeve nga fabrika Azovstal

Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se nga vendstrehimet nëntokësore të uzinës Azovstal vijojnë dorëzimet në masë të luftëtarëve të njësisë Azov, të rrethuar prej javësh që pasi ushtria ruse mori kontrollin e plotë të Mariupolit.

Këto filmime u shpërndanë nga ministria ruse e mbrojtjes që tha se gjatë 24 orëve të fundit u dorëzuan 694 luftëtarë të tjerë, duke e çuar në 959 totalin e të dorëzuarve që kur nisi evakuimi i tyre në fillim të kësaj jave. 80 prej tyre janë të plagosur dhe janë dërguar për mjekim në territoret e kontrolluara nga militantët pro-rusë. Moska nuk pranon shkëmbimin e tyre me ushtarët rusë të kapur nga ukrainasit, por thotë se do i trajtojë si të burgosur lufte.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski i quajti ata heronj që i duheshin kombit të gjallë dhe se Kievi kishte negociuar për evakuimin e tyre. Ndërkaq, rusët kanë vazhduar me bombardimet e ashpra në disa qytete të Ukrainës, ndër të cilat më vdekjeprurësi u shkaktua nga bombat në Çernihiv ku u vranë 11 persona e u plagosën 14 të tjerë.

Erdogan për Finlandën & Suedinë: Donin të vinin që të Hënën për të bërë pazar. Iu thashë…

Finlanda dhe Suedia dorëzojnë edhe zyrtarisht aplikimin e tyre për të qenë pjesë e NATOs. Aplikimet iu dorëzuan sekretarit të përgjithshëm të aleancës Jens Stoltenberg nga ambasadorët e dy vendeve gjatë një takimi në Bruksel.

“Aplikimi që bëtë sot është historik. Aleatët do të ndërmarrin menjëherë hapat e radhës. Jemi të vendosur për të arritur në rezultate të shpejta”.

Vendimi u mor pas shtimit të rrezikut për sigurinë e kontinentit nga sulmi rus në Ukrainë. Megjithatë, anëtarësimi i dy vendeve po bllokohet nga Turqia dhe këtë e konfirmoi sërish presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, këtë të Mërkurë në parlament, i cili refuzoi kërkesën për negociata nga Stokholmi.

“Donin të vinin që të Hënën për të bërë pazar. Iu thashë, mos u lodhni, nuk ka nevojë. Sjellja e tyre është e qartë. Terroristët vazhdojnë të shfaqen në Suedi me gjithë leckat e tyre”.

Sipas Ankarasë, dy vendet duhet të reshtin së qeni strehë të sigurta për kurdët e konsideruar si terroristë. Ndërsa presidenti rus Vladimir Putin tha se Rusia do të kundërpërgjigjet, pasi të vlerësojë kërcënimet e reja që mund të dalin pasi NATO të afrojë infrastrukturën ushtarake në Finlandën fqinje.

SHBA përpjekje për të nxjerrë nga Ukraina grurin

Administrata Biden po punon ngushtë me aleatët evropianë në përpjekje për të gjetur rrugë për të nxjerrë grurin dhe misrin ukrainas jashtë vendit pasi Rusia bllokoi anijet ukrainase me drithë të niseshin për furnizimet ushqimore në mbarë botën, veçanërisht në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.

Nga ana tjetër presidenti ukrainas konfirmon se procesi i negociatave për evakuimin e ushtarëve të fundit nga uzina e çelikut Azovstal vazhdon me Rusinë.

265 “ushtarë”, përfshirë 51 të plagosur rëndë, u evakuuan të hënën mbrëma nga Mariupoli ndërsa pritet të kryhet një shkëmbim me ushtaret e kapur rusë gjate luftës.

Ndërsa prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare Karim AA Khan njoftoi se është dislokuar ekipi më i madh i mjekësisë ligjore ndonjëherë në terren në Ukraine për krimet e luftës. Më 2 mars Gjykata ndërkombëtare hapi çështjen penale dhe ekipi do të mbledhë dëshmi dhe materiale mjeko-ligjore dhe dixhitale si pjesë e këtij hetimi.

Stoltenberg merr aplikimet e Suedisë dhe Finlandës

Suedia dhe Finlanda kanë dorëzuar zyrtarisht kërkesat e tyre për t’u bashkuar me NATO-n mëngjesin e kësaj të mërkure. Sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg e cilësoi këtë “një moment historik, të cilin duhet ta shfrytëzojmë”, duke shtuar se anëtarësimi i vendeve nordike do të rriste sigurinë e përbashkët.

Udhëheqësit e të dy vendeve njoftuan synimin e tyre për të aplikuar për anëtarësim në aleancën e mbrojtjes të dielën, në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës. Parlamenti suedez votoi pro të hënën. Finlanda bëri të njëjtën gjë dje.

Finlanda ndan një kufi të gjatë tokësor dhe detar me Rusinë. Si ajo ashtu edhe Suedia fqinje mbetën neutrale gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, kështu që aplikimet e tyre për t’u bashkuar me NATO-n shënojnë një ndryshim të rëndësishëm në qëndrim.

Procesi pritet të zgjasë vetëm disa javë, por do të kërkojë mbështetjen e të 30 anëtarëve, ratifikimi i të cilit mund të zgjasë deri në një vit. Qeveria turke ka shprehur kundërshtim.

Presidenti finlandez Sauli Niinisto dhe kryeministrja e Suedisë Magdalena Andersson do të takohen nesër në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e SHBA Joe Biden për të diskutuar disa tema, përfshirë aplikimin në NATO, sigurinë evropiane dhe mbështetjen për Ukrainën.

REDAKSIA TVKLAN.AL