Kabineti i Kryeministrit Kovaçevski ka konfirmuar se ai, gjatë vizitës në Romë dhe nderimit të iluministëve sllavë Kirili dhe Metodi, do të takohet me Kryeministrin bullgar Kiril Petkov. Për momentin nuk ka detaje, por pritet që temë e bisedimeve të jetë kontesti në mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut që tashmë dy vite i bllokon negociatat aderuese të vendit me BE-në. Ndërkohë te një pjesë e lojtarëve politikë në Bullgari rriten tensionet se ndoshta “Petkovi mund të përgatitet për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut” dhe për këtë arsye përmendet edhe tema për zgjedhje të reja eventuale.

Në marrëdhënie të tensionuara për shkak të vetos dyvjeçare bullgare në rrugën evropiane të vendit, Kryeministrat e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut nesër do të jenë në Romë, për nderimin tradicional veçmas të iluministëve sllavë Kirili dhe Metodi, por nuk ka njoftime për nderim të përbashkët. Këtë e konfirmojnë kabinetet qeveritare në Sofje dhe në Shkup, por mediat në vendin fqinj kanë sqarime shtesë.

“Sipas informacioneve të pakonfirmuara, gjatë vizitës në Romë deri para pak kohësh konsiderohej se të dy kryeministrat do të bëjnë publik përparim madje edhe marrëveshje për heqjen e vetos. Gjatë javës së fundit u bë e qartë se kjo këtyre ditëve nuk mund të arrihet krahas përpjekjeve diplomatike të BE-së dhe SHBA-ve.”

Se në koalicionin qeveritar në Sofje mbeten në qëndrimet e ngurta në raport me Maqedoninë e Veriut flet edhe deklarata e Iva Mitevës nga partia “Ka një popull të tillë”.

“Nuk do të bëjmë pazar me ndërgjegjen, me qytetarët bullgarë dhe me të drejtat e tyre. Jemi të qartë që nga fillimi, edhe në janar në Këshillin Konsultativ te Presidenti të gjitha partitë politike u bashkuan rreth shtatë pikave dhe konsideroj se ato shtatë pika ende nuk janë plotësuar. Kjo do të thotë se ende nuk ka arsye për ta ndryshuar pozicionin. Kjo është vija jonë e kuqe dhe do të jetë e tillë deri në fund.”

Një pjesë e analistëve dyshojnë se Sofja ka bërë përpjekje të mjaftueshme për zgjidhjen e kontestit me Shkupin.

“Pasionet janë ndezur si me dy ekipe futbolli, në nivel shumë të lartë, përkatësisht në nivel rruge. Për mua është problem i madh që çështjet e mëdha politike arrijnë në nivel rruge. E keni parë çfarë ndodhi dje në Kresna ku pati parulla: “Maqedonia është e jona”. Kështu do ta heqim gjuhën e urrejtjes? Sipas meje ka veprime qëllimi i të cilave është të shkaktojnë tensione, në vend që të kërkohet zgjidhje e problemit.”

Kryeministri bullgar Kiril Petkov këtyre ditëve kërkoi nga Presidenti Rumen Radev ta thirrë Këshillin Konsultativ për siguri kombëtare në lidhje me çëshjten e Maqedonisë së Veriut, por për momentin nuk ka përgjigje nga kabineti i shefit të shtetit. Petkov është kritikuar se është i gatshëm ta heqë veton për Shkupin, por ai në më shumë drejtime ka theksuar se vendimin nuk mund ta marrë i vetëm, por për këtë duhet të vendosin institucionet më të rëndësishme në krye të shtetit bullgar.

Klan Macedonia