Zv/kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka treguar në “Opinion” procedurën si mund të vijohet nëse Zoran Zaev dërgon dorëheqjen e tij në Kuvend. Presidenti pasi njoftohet që ka rënë e gjithë qeveria cakton një mandatar të ri për formimin e një qeverie të re.

Mandatari caktohet nga partia më e madhe në Kuvend, që në këtë rast është LSDM. Grubi tha se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, e ka telefonuar mbrëmë Zaevin për t’i komunikuar qëndrimin se  ai duhet të vijojë në krye të qeverisë.  Sipas Grubit çdo mandatar i ri nga ana e LSDM-së për kryeministër do të jetë problematik për shumicën parlamentare.

“Nuk e ka mendjen që të rikandidojë sipas deklarimeve të tij të djeshme dhe të sotme. Edhe pse Zoti Ahmeti e thirri mbrëmë në telefon, sot në telefon, do të zhvillojë një takim brenda ditëve në vijim dhe iu lutëm kryeministrit Zaev që të qëndrojë për një kohë më të gjatë pasi kemi negociatat dhe po presim që në Dhjetor të marrim datën për fillim të negociatave me BE.

Nuk ka ndodhur në histori që të dorëhiqet një kryeministër për rezultatet në zgjedhjet lokale. Shiheni në rajon, në Kroaci në Kosovë, nuk ka dhënë kush dorëheqjen për zgjedhjet lokale. Zaev dha dorëheqjen edhe para dy viteve kur nuk arriti bashkë me kryeministrin Rama që të fitojë fillimin e negociatave me BE, por atëherë e refuzuam. Shpresojmë që ai nuk do të vijojë me këto procedura.

Nuk e lemë Zaevin për arsyen se marrëveshjen Ahmeti e ka bërë me Zaev për të qeverisur për 4 vite, për ta zgjidhur çështjen e emrit, për ta zgjidhur kontekstin me Bullgarinë, për të hapur negocitatat me BE-në, për të respektuar marrëveshjen e Ohrit dhe për të bërë reformat. Çdo mandatar i ri nga ana e LSDM do të jetë goxha problematik për shumicën parlamentare.

Në telefonatë në fakt, sepse u realizua diku para mesnate. Zoti Ahmeti tha në asnjë mënyrë dhe e pakompromistë është qëndrimi jonë që ai do duhet të qëndrojë dhe të vijojë në krye të qeverisë për aryse se kemi punë për të bërë.  Supozimi është që do vijojmë me të njëjtën formë pa komplikime të mëdha, por nuk do i dihet kësaj kur të fillojnë negociatat nga fillimi”, tha Grubi./tvklan.al