Mjekët: Të moshuarit, fëmijët dhe të sëmurët kronikë të evitojnë daljen në të ftohtë

Gjatë këtyre ditëve që vendi ynë është përfshirë nga moti i acartë, mjekët apelojnë që disa kategori të popullatës duhet të bëjnë kujdes. Veçanërisht të moshuarit e fëmijët duhet të shmangin daljen në mëngjes dhe mbrëmje, si dhe ambientet e mbyllura si baret e restorantet.

“Të moshuarit, fëmijët dhe ata me sëmundje kronike duhet të kenë kujdes. Të evitojnë daljet në mëngjes e në darkë që janë orët e pikut të temperaturave të ulëta. Të qëndrojnë në shtëpi, në ambiente të ngrohta dhe të kenë një temperaturë konstante. Duhet shmangur ambientet e mbyllura dhe me shumë njerëz, si baret, restorantet që ka një mundësi për të përhapur virusin dhe për t’u infektuar”.

Specialistët këshillojnë që për të patur imunitet të fortë ka shumë rëndësi ushqyerja sa më e mirë, por dhe veshja e duhur ka një rol të rëndësishëm në këto ditë të ftohta.

“Pak a shumë 24-25 është temperatura për fëmijë e të rritur, ushqyerja po ashtu sepse metabolizmi kërkon më tepër energji. E rëndësishme veshja, me doreza, me shall, me kapuç për të mos pasur problematika”.

Ndër të tjera mjekët rekomandojnë të tregohet kujdes me sistemin e ngrohjes në shtëpi, veçanërisht për atë me gaz apo dru.

“Rrjedhja e gazit mund të kthehet në problem për shkak të monoksidit të karbonit. E njëjta gjë ndodh me ata që ngrohen me soba me dru, të bëjnë kujdes mos të ketë rrjedhje, bombulat e gazit të sigurohen në ambiente të jashtme”.

Gjatë kësaj periudhe janë shtuar edhe fluksi i vizitave në poliklinka sipas specialistëve, duke theksuar se qytetarët nuk duhet të tregohen neglizhentë.

Klan News