22 milionë Euro vetëm nga buxheti i shtetit do të përfitojë sektori i bujqësisë për vitin 2018. Nga Divjaka, në kuadër të turit të llogaridhënies publike, ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj tha se buxheti i caktuar për bujqësinë është më i larti në 27 vite.

“Mbështetja për bujqësinë sivjet në 2018 është realisht më e larta në 27 vite. Janë 26 milionë Dollarë, pra afërsisht 22 milionë Euro vetëm nga buxheti i shtetit për mbështetjen tuaj. Ndërkohë, fillon shumë shpejt projekti i Komisionit Europian IPARD dhe kjo është zona që është më shumë e prirur për të përfituar, qoftë si fermerë por qoftë dhe si bashkime bujqësore. E gjithë shuma, së bashku me kontributin e buxhetit të shtetit, shkon në 93 milionë Euro”.

Sipas Ahmetaj, rimbursimi i TVSH ka bërë që 22 milionë Dollarë tashmë të jenë në duart e fermerëve.

“20 % të të gjithë autofaturës që bëhët nëpërmjet grumbulluesve dhe fatmirësisht, ju keni shumë grumbullues këtu dhe i keni shumë të konsoliduar dhe shumica e tyre janë të formalizuar, gjë që ju ndihmon. E dini se sa kemi rimbursuar vitin e kaluar? 22 milionë Dollarë. Janë 22 milionë Dollarë që nuk i kishin dikur fermerët por sot i kanë, për shkak të politikës së qeverisë”.

Në qarkun e Fierit këtë vit kanë përfituar mbështeje financiare nga buxhetit i shtetit rreth 944 fermerë.

Tv Klan