Një aksident i frikshëm ndodhi orëve të para të mëngjesit në autostradë në Lushnjë. Një makinë tip Benz u përplas me një kamion që transportonte bimë medicinale. Të dyja automjetet u përmbysën dhe përfunduan në anë të rrugës duke u përplasur me barrierat e autostradës.

Të dy drejtuesit, 34-vjeçari Dorian L. në automjetin Benz, dhe shoferi i kamionit morën plagë të rënda, kurse makinat u shkatërruan plotësisht.

Sipas policisë, Benzi ka goditur nga pas kamionin, por dyshohet që automjeti ishte me shpejtësi të lartë. Dëmtimet më të rënda i ka 34-vjeçari dhe për ta nxjerrë nga makina e aksidentuar u desh ndërhyrja e forcave zjarrfikëse.

I riu u dërgua në spitalin e Lushnjës dhe ndodhet jashtë rrezikut. Gjithashtu jashtë rrezikut është edhe drejtuesi i kamionit. /ABC News Albania 24/7