Në akt-akuzën për ish-zyrtarin e FBI Charls McGonigal që ka bërë vizita në Shqipëri të padeklaruara dhe që dyshohet të ketë marrë 225 mijë Dollarë për të hetuar një çështje lobimi, përmendet edhe një biznesmen politikan në Shqipëri.

Por kush është biznesmen politikan? Gazetari Blendi Fevziu ka pyetur për të zbuluar emrin e këtij politikani.

Gazetari Poli Hoxha, i ftuar në studion e Opinion në Tv Klan, thotë se e di emrin e politikanit biznesmen, por nuk mund ta thotë.

Blendi Fevziu: Po biznesmeni politikan kush është?

Poli Hoxha: Unë e di por nuk mund të them emër.

Blendi Fevziu: E di ti kush është?

Poli Hoxha: Po, e di. Mund të të them që z.Neza kishte një miqësi të hershme dhe të ngushtë me z.Gjiknuri që në këtë periudhë ka qenë ministër për këto lobimet që bënte dhe z.Duçka në emër të kompanive që janë gazi, energjetika etj. Kemi një biznesmen, sepse ka hapur dhe kompani. Zyrtari i FBI-së ka hapur dhe kompani në Shqipëri ku është aksioner z.Neza, është vetë ky, është edhe një biznesmen që punon me energjinë. Kanë hapur një kompani e cila, nga verifikimet që kam bërë unë, rezulton që ka të njëjtën adresë me një kompani zvicerane e cila ka marrë si koncesion një fushë gazmbajtëse siç është ajo e Cakran-Mollas dhe është e njëjta adresë e kësaj kompanie që në fakt është kompani konsulence.

Blendi Fevziu: Ndërkohë ishte një politikan biznesmen që thoni e di, që ka kërkuar të dhëna dhe që për të ka shkuar një përfaqësues i Departamentit të Shtetit.

Poli Hoxha: Aty thuhet dhe herë pas here zihet fjala skema, dhe kjo është akt-padia. Kjo është dorëzuar në Gjykatën e Uashingtonit. Skema shpjegohet kështu; që këtij i është kërkuar dhe me burime dhe si burim është përdorur z.Duçka përveç të tjerave dhe burime nga qeveria shqiptare. Z.Duçka ka patur email zyrtar, aty cilësohet z.Duçka si këshilltar joformal për energjetikën dhe sigurinë i kryeministrit, nuk i zihet emri në gojë, por kryeministri i Shqipërisë që kuptohet, dhe ka qenë që ky të hapë një hetim në SHBA për një firmë lobimi i pajtuar nga një parti tjetër rivale që s’është e Kryeministrit. Ky faktikisht nuk e ka hapur hetimin, ky e ka takuar këtë zyrtarin e lartë që e ka sjellë dhe në Shqipëri dhe aty është diskutuar hapja e këtij lloji hetimi, përkthyes ka qenë z.Neza dhe kjo nuk është raportuar në FBI. Në fakt nuk ka patur kurrë një hetim zyrtar.