Kryeministri Edi Rama u ka kthyer përgjigje akuzave të opozitës që fajësojnë policinë për vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti teksa ai shoqërohej në Komisariatin Nr.3 në Tiranë.

Nga Elbasani gjatë një takimi me qytetarë, kreu i qeverisë i etiketoi “hiena” akuzuesit, që sipas tij përpiqen të përfitojnë nga ky rast.

Kryeministri theksoi se sipas hetimeve të deritanishme të Prokurorisë dhe Mjekësisë Ligjore nuk rezulton që të ketë tejkalim të forcës nga ana e policisë.

“Kemi jo përballë, sepse përpara ata nuk na dalin dot, por kemi nga mbrapa disa që na kapin dhe përpiqen të na tërheqin me lloj-lloj marifetesh, me lloj-lloj poshtërsish të zhytur në thesin e rublave, të lidhur me grupet dhe me forcat më jo dashamirëse të këtij vendi dhe ja u them me përgjegjësi, sepse dhe historia e tyre këtë tregon, dhe në një përpjekje të përditshme për t’ja u nxirrë jetën njerëzve duke treguar, duke sajuar lloj-lloj gjërash. Si sajesa më e freskët, më e fundit, që policia ka vrarë një tjetër të ri. Ndërkohë që policia në bashkëpunim me Prokurorinë, dhe vetë Prokuroria në bashkëpunim me Mjekësinë-Ligjore e kanë nxjerrë raportin qartësisht që nuk bëhet fjalë për asnjë lloj dhune, nuk bëhet fjalë për asnjë lloj tejkalimi të asnjë force nga ana e policisë, por bëhet fjalë për diçka krejt tjetër dhe unë nuk dua të zgjatem sepse dua ta respektoj viktimën, ju shikoni se si në të gjitha ekranet janë shfaqur hienat që e shqyejnë të vdekurin minutë për minutë dhe që përpiqen që me erën e vdekjes të thërrasin të tjerë, të tjerë që ju venë mbrapa dhe të cilët duhet të mendohen çfarë shqiptarësh janë, çfarë lloj shqiptari duhet të jesh që të besosh më tek këto lloj hienash që nuk kanë asnjë kod, nuk kanë asnjë lloj pengese morale, etike, njerëzore dhe që janë të gatshëm të sajojnë gjërat më monstruoze. Për çfarë? Për të bërë atë që nuk duhet bërë në këtë kohë, për t’i bërë njerëzit të ndihen edhe më keq, jo për t’i bërë njerëzit të ndihen edhe më mirë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

Lear Kurti humbi jetën një ditë më parë teksa shoqërohej nga policia. Sipas variantit paraprak të Mjekësisë-Ligjore, në stomakun e 32-vjeçarit u gjet një qese që dyshohet se brenda ka patur lëndë narkotike dhe i ndjeri e kishte gëlltitur për të mos ia gjetur policia. Megjithatë, hetimet për këtë ngjarje vijojnë, ndërsa 3 efektivë janë pezulluar nga detyra deri në sqarimin e plotë të rrethanave. /tvklan.al