Manipuluan procesin e numërimit të votave

14 muaj pas zgjedhjeve të 25 Prillit 2021, Prokuroria e Elbasanit ka lëshuar-urdhër arreste për 8 numërues të PS, PD dhe LSI. Ata u kallëzuan nga KQZ dhe akuzohen se falsifikuan rezultatin e zgjedhjeve, teksa ishin me detyrë numërues në QV nr.2780 dhe QV nr.2796 në KZAZ nr.53 në Qarkun e Elbasanit.

Të arrestuarit janë Ylli Kuka, Durim Alla, Algert Alla, Erald Karriqi, Erjon Dashi dhe Mili Vasku, ndërsa dy të tjerë, Oltion Bajrami dhe Eduart Zito nuk janë gjetur nga forcat e policisë. Nga këta, 4 janë numërues nga PS, 2 nga PD dhe 2 nga LSI.

Në dosjen hetimore thuhet se “gjatë procesit të kqyrjes së mëpasshme të fletëve të votimit rezultoi se anëtarët e grupeve të numërimit që kanë numëruar votat për këto qendra, kanë shënuar në tabelën e rezultatit të grupit të numërimit numër më të vogël votash për kandidatë të ndryshëm dhe më shumë vota për kandidatë të tjerë, krahasuar me numrin real të votave që u gjendën në kutinë e votimit”.

Nga ana e tyre, të arrestuarit janë mbrojtur duke thënë se ka qenë gabim njerëzor shkaktuar nga lodhja dhe aspak i qëllimshëm.

Por Prokuroria nga ana e saj ka vlerësuar se vepra penale për të cilën ata dyshohen paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore ndaj për të tetë personat gjykata ka caktuar masën arrest me burg.

Tv Klan