Opinion– Albin Kurti, një nga figurat simbol të qëndresës kosovare, ish-kryetar i Unionit Studentor të Prishtinës, i arrestuar, i burgosur dhe dënuar nga gjykata e Millosheviçit, ishte një prej të ftuarve të emisionit “Opinion” në vitin 2002. Rreth 2 javë pas lirimit, më datë 29 Janar të vitit 2002 Kurti ka dhënë një intervistë përballë gazetarit Blendi Fevziu nga ku rrëfen angazhimin e tij në protesta, të cilat çuan edhe në burgosjen e tij, vizitën në Shqipëri dhe mjaft tema të tjera.

“Kjo është hera e parë për mua që vij në Shqipëri dhe në Tiranë legalisht. Dy herë të tjera që kam ardhur nuk kam qenë legalisht. Herën e parë kam qenë në vitin 1991 sepse kisha lexuar dhe menduar shumë për Shqipërinë, por nuk e kisha parë. Isha vetëm 16 vjeç dhe kam qenë deri në Shkodër. Herën e dytë kam qenë në vitin 1993 dhe qëllimi ishte të studioja në Universitetin Politeknik, por për shkak të ndryshimit të programeve mes dy Universiteteve duhej të jepja shumë provime shtesë dhe nuk e vazhdova. Isha shumë i ri atëherë, por në fund vendosa të qëndroj në Kosovë dhe moment vendimtar ka qenë ai kur vendosa të ndaj fatin me shokët e mi, të cilët mësonin në objekte private në atë kohë pasi më 1991 ne ishim dëbuar nga ambientet e Universitetit prej policisë speciale serbe.

Kur erdha në Shqipëri isha i emocionuar, padyshim që takova shumë miq dhe shokë me të cilët kisha kontaktuar më 1990-ën. Kam momente të paharrueshme nga ajo kohë, kam kujtime me miqtë e mi Asllanin dhe Fatmirin të cilët ndodhen në Shkodër.

Në Shqipëri shoh shumë ndryshime dhe të gjitha këto mendoj se janë pozitive dhe mendoj se standardi i jetesës është më i lartë”, tha Kurti.

Gjatë emisionit ai gjithashtu tregoi interesin e tij për politikën dhe angazhimin për pavarësinë e Kosovës.

“Unë kam qenë i interesuar për politikën duke qenë se Kosova ishte e okupuar dhe ne jetojmë në një gjendje shumë të rëndë. Robërimi i egër ishte ai që më shtyu mua që të mendoja për forma të ndryshme të cilat do të na mundësonin lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në Qershor të 1997-ës vura kontaktet me Unionin e Pavarur të studentëve të Universitetit të Prishtinës. Biseduam për format e ndryshme të organizimit të jetës në Kosovë që do të paraqiste për herë të parë format e rezistencës aktive sepse në Kosovë mbretëronte heshtja, që nënkuptonte adaptimin në kushtet e robërisë. Filluam të organizoheshim në kuadër të Unionit të Pavarur të Studentëve për krijimin e një lëvizje të vërtetë studentore që do të fillonte me protesta dhe demonstrata kundër regjimit fashist të Millosheviçit.

Qëllimi ynë ishte lirimi i hapësirave universitare që ishin të robëruara, nuk e arritëm këtë. Por për në Tetor të vitit 1997 arritëm të thyejmë statusquo-në dhe arritëm që populli shqiptar në Kosovë ti kthejmë krenarinë. Për herë të parë nuk ishim më objekt i ngjarjeve që ndodhnin në Kosovë, por edhe ne shkaktonim ngjarje. U bëmë subjekt që vendoste për Kosovën. Unioni i pavarur i Universitetit të Prishtinës si bartës i lëvizjes studentore e ka ngritur lëvizjen studentore në nivel institucional suke qenë se për herë të parë në protesta nuk kanë marrë pjesë vetëm studentët, por edhe mësimdhënësit.

Sipas Kurtit protestat në Kosovë kanë qenë të pa ndikuara politikisht dhe se kontaktet me UÇK-në janë vendosur në Nëntor të 1997-ës kur UÇK doli publikisht.

“Kemi qenë të pavarur në organizimin e protestave dhe nuk kemi pasur ndikim nga subjektet politike. Kemi pasur kontakte me UÇK, por e kemi ruajtur pavarësinë tonë. UÇK na ka përkrahur sepse ne paraqisnim një lëvizje të pakontestueshme dhe bënim riaktivizimin e qytetarëve, energjisë popullore që deri në atë kohë kishin qenë të fjetur. Kjo ishte në favor të UÇK. Kontaktet me UÇK i kemi nisur në vitin më 28 Nëntor të 1997 kur UÇK për herë të parë doli publikisht. Adem Demaçi në Gusht të 1998 u bë përfaqësues i përgjithshëm politik i UÇK dhe vendosi të themelojë një zyrë në Prishtinë. Ky ishte një hap i guximshëm që avanconte shumë politikën e UÇK-së. Mendoj se në ato momente nuk ka ekzistuar një shqiptar tjetër që mund të kryente një funksion të tillë duke qenë se një guxim të tillë intelektual dhe atribute politike askush nuk i kishte. Natyrisht ai kishte nevojë edhe për njerëz të tjerë me rastin e themelimit të asaj zyre dhe mbaj mend që më ofroi mua të bëhesha sekretar dhe unë pa asnjë dilemë pranova sepse ishte vizionar politik dhe simbol i rezistencës tonë kombëtare. Edhe pasi kam dalë nga burgu e kam vizituar zotin Demaçi, kemi biseduar për shumë çështje dhe vazhdojmë ti kemi marrëdhëniet të mrekullueshme ashtu siç i kemi pasur edhe më herët. Ai asnjëherë nuk e ka ndërprerë veprimtarinë politike, por mënyra se si ai vepron politikisht dhe format ndryshojnë me kohën. Kur unë kam filluar aktivitetin politik e kam pasur të qartë se mund të vritem, por qëllimi im nuk ka qenë asnjëherë ta shpëtoj jetën time. Qëllimi im ka qenë që të kontribuoj në lëvizjen tonë kombëtare. Mendoj se nuk është e rëndësishme të shpëtojë jeta ime, por të shpëtojë qëndrimi im, bindjet dhe synimet e mia. Këto nuk kanë të bëjnë me mua, por me aspiratat e shqiptarëve në Kosovë”, shtoi Kurti./tvklan.al