Turqia rikthen anijen sondë në Mesdheun Lindor

Turqia rikthen anijen sondë në Mesdheun Lindor

09:25 12/10/2020

Mitsotakis, bisedë telefonike me kreun e Këshillit Europian

Rikthehen tensionet mes Athinës dhe Ankarasë për Mesdheun Lindor, pas vendimit të Turqisë për të riaktivizuar sondën detare “Oruç Reis” për kërkimin e burimeve të hidrokarbureve.

Anija la të hënën portin e Antalias për t’u rikthyer në hapësirat detare që janë shndërruar në mollë sherri mes Greqisë dhe Turqisë, dy anëtarëve të NATO-s, që rrezikojnë të përfshihen në një konflikt ushtarak të paprecedentë.

Kryeministri grek Qirjakos Micotaqis tha se do të zhvillonte një bisedë telefonike më vonë gjatë kësaj të hëne me presidentin e Këshillit Europian, Sharl Mishel. Micotaqis do t’i shprehë shqetësimin për hapat e fundit të ndërmarra nga Turqia që minojnë përpjekjet për dialog.

Krahas rikthimit të aktivitetit të Oruç Reisit, shqetësim për Greqinë është rihapja e një qyteze të braktisur në Qipron Veriore.

Tërheqja e Oruç Reisit në fund të muajit të kaluar dha shpresa për dialog mes dy vendeve. Bashkimi Europian ka kërcënuar Turqinë me sanksione, nëse nuk pranon dialogun.

Tv Klan





Të ngjashme