I shkaktuan dëm buxhetit të shtetit 182 milionë Leke

15 biznesmenë u vunë në prangat e policisë së kryeqytetit nën akuzën e shmangies së detyrimeve tatimore, duke përdorur një skemë mashtrimi për rimbursimin e TVSH-së . Sipas hetimeve të arrestuarit që operojnë kryesisht në fushën e ndërtimin, përdornin faturat tatimore fiktive, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 182 milionë Lekë, pasi rimbursoheshin për vlera që nuk ishin reale.

Nga hetimet është vënë re se të gjitha shitjet, këta biznesmenë, për te cilët policia ka bërë publike vetëm inicialet, i kryenin tek i njëjti subjekt tregtar. Po kështu në kërkim janë shpallur disa persona të tjerë dhe po punohet për kapjen e tyre. Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, si dhe “Fshehje e të ardhurave” .

Operacioni i policisë së Tiranës vjen pas planit të posaçëm të masave për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore të nisur kohët e fundit në të gjithë vendin.

Tv Klan