Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reguar lidhur me zbardhjen e skemës nga ana e Prokurorisë Tiranë për caktimin e masave të sigurisë ndaj punonjësve të aeroportit të Tiranës, të cilët lejonin kalimin e personave që ju ndalohej hyrja në vendet e Bashkimit Europian, përmes rryshfetit.

Ministri Balla thotë se kjo lidhet dhe me procesin e vetëpastrimit, përmes së cilit po largohen nga trupa e Policisë elementët e dëmshëm, të inkriminuar apo shkelës të etikës. Më tej, ministri Balla ka përgëzuar AMP-në për rezultatet premtuese për një intensifikim dhe më të madh të këtij procesi vetëpastrimi.

“Rritja e besimit të publikut tek Policia e Shtetit lidhet në mënyrë të pandashme me procesin e vetëpastrimit, përmes të cilit po largojmë ditë pas dite nga trupa e shëndoshë e Policisë elementët e dëmshëm, të inkriminuar apo shkelës së etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të mijëra e mijëra uniformave blu që shërbejnë me vendosmëri të palëkundur shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve të këtij vendi.

Përgëzime Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për rezultatet e dukshme dhe premtuese për një intensifikim edhe më të madh të këtij procesi vetëpastrimi. E nxis AMP të forcojë bashkëpunimin institucional me SPAK, prokuroritë e jurisdiksionit të përgjithshëm, si dhe me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit dhe inteligjencës dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, për të garantuar standarde të larta të integritetit dhe pastërtisë së figurës së punonjësve të policisë”, shkruan ministri Balla.


/tvklan.al