Dy punonjës të Policisë Kufitare në Gjirokastër dhe një tjetër person kanë përfunduar në pranga pasi akuzohen për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv.

Ata janë Timo Ciko, 50 vjeç, shef i ruajtjes së kufirit të gjelbër, në Drejtorinë e Policisë Kufitare Gjirokastër; Bledar Duçka, 43 vjeç, trup shërbimi për kufirin e gjelbër, në Drejtorinë e Policisë Kufitare Gjirokastër dhe Shpëtim Brakaj, 41 vjeç, nga Fieri.

Kundrejt pagesave që varionin nga 300 deri në 400 euro për çdo person, të siguruar nga Brakaj, punonjësit e Policisë në vijën kufitare siguronin kushtet për të kaluar drejt vendit fqinj në mënyrë ilegale pa kryer procedurat ligjore.

Ata që kalonin përmes pagesave tek rrjeti i dyshuar i trafikuesve, e kishin të pamundur të udhëtonin në zonën Shengen për shkak të problemeve me afatet e shkelura kohore, apo mos përmbushjen e kushteve të kalimit të lirë.

Burime zyrtare sqarojnë se SHÇBA kishte regjistruar një procedim penal prej disa muajsh, mbi bazën e informacioneve që kishte siguruar për kalimin e shqiptarëve dhe të huajve, përmes kufirit të gjelbër drejt Greqisë në mënyrë ilegale. Pas një hetimi me metoda speciale u bë e mundur të identifikohej dhe dokumentohej ky aktivitet kriminal.

Gjatë arrestimit në flagrancë, të ndaluarve u janë sekuestruar një sasi euro, lekë, dollarë, telefona celularë dhe 1 automjet. Hetimi po vijon për zbulimin e personave të tjerë të implikuar.

/tvklan.al