Një çift në Fier është vënë në prangat e Policisë, pasi akuzohen se trafikonin drogë në doza të vogla. Policia në një njoftim për mediat ka bërë me dije se në kuadër “Shtegëtari”, u arrestuan Edmond e Rovena Bishani, që ishin burrë e grua.

Gjatë hetimit disa mujor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, rezultoi se këta persona merreshin me veprimtari kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe të falsifikimit të monedhave.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre të marrë me qera në Fier, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 28 doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë dhe 24 doza me lëndë narkotike cannanis sativa”, theksohet në njoftim.

Gjithashtu për këta persona Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë ka nxjerrë urdhër ndalimi për veprën penale “Falsifikimi i monedhave” pasi këta shtetas, në qytetin e Lushnjes dhe Divjakës, në kohë të ndryshme kanë blerë artikuj me kartëmonedha të dyshuara të falsifikuara, ku janë dokumentuar 3 raste në muajt Korrik dhe Dhjetor 2020./tvklan.al