Vritet në Gjermani djali i policit shqiptar (Detaje)

Foto montazh

Vritet në Gjermani djali i policit shqiptar (Detaje)

09:57 15/08/2019

Keidi Pasha 20 vjeç është vrarë me armë zjarri në Gjermani nga persona të paidentifikuar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 13 Gushtit në Wolfsburg. 20-vjeçari, lindur dhe banues në Burrel, kishte shkuar në Gjermani ditën kur ndodhi krimi. Tvklan.al ka mësuar nga autoritetet shqiptare se bëhet fjalë për djalin e punonjësit të Policisë Rrugore në Burrel, Arben Pasha.

Nga të njëjtat burime është bërë me dije dhe versioni paraprak i ngjarjes. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje që kanë deponuar për hetuesit gjermanë, fillimisht ka pasur një konflikt mes disa personave që ka nisur në një lokal në pronësi të dy shqiptarëve të tjerë.

Më pas sherri u zhvendos në anën tjetër të rrugës. Keidi Pasha dhe një mik i tij u qëlluan me armë nga një makinë e paidentifikuar kur po ecnin në trotuar. Autorët u arratisën në drejtim të paditur, ndërsa kanë qenë kalimtarët të cilët njoftuan policinë. 20-vjeçari dhe miku i tij u transportuan me urgjencë në spital në gjendje të rëndë. Fatkeqësisht, Keidi nuk mundi t’u mbijetonte plagëve. Kurse shoku i tij ndodhet në gjendje kritike.

Një dëshmitar okular i tha policisë gjermane se dëgjoi të paktën 6 të shtëna me armë zjarri. Nga burime policore mësohet se trupi i të ndjerit nuk është sjellë ende në Shqipëri, ndërsa autoritetet gjermane po kryejnë ekspertizën mjeko-ligjore. Shkaqet e vrasjes janë të paqarta. Policia gjermane është duke hetuar motivet e konfliktit që besohet se nisi fillimisht në një restorant, si dhe po punon për të identifikuar autorin/ët e vrasjes. /tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme
UKT