4 persona u morën të pandehur nga Prokuroria e Posaçme me dyshimet se kishin përgatitur një atentat, i cili më pas dështoi ndaj Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashajt në Vlorë në Gusht të 2023.

Ngjarja referuar hetimeve të SPAK kishte motiv hakmarrjen dhe marrjen në kontroll të lojërave të fatit në këtë qytet dhe çelës për zbardhjen e saj u bë arrestimi i shtetasit Amarildo Nikolli, që u tregua bashkëpunues me drejtësinë.

I pandehur si organizator i grupit kriminal në sigurimin e kushteve për vrasje është marrë Leonard Luzi, i njohur edhe me mbiemrin Zejno. Ky i fundit i financuar nga një tjetër person i paidentifikuar, kontraktoi si vrasës Amarildo Nikollin dhe ndihmës të tij Muharem Koroveshin dhe Erio Zejno.

Të katër këta referuar hetimeve kanë siguruar armët e krimit, kanë ndihmuar në terren me gjetjen e personave të cilët ishin objektiv të atentatit, si dhe do të ndihmonin ekzekutorin Amarildo Nikolli, në largimin nga vendi i ngjarjes.

Për Prokurorinë e Posaçme, Leonard Zejno në realizimin e këtij krimi kishte motiv hakmarrjen pasi njëri prej objektivave Ervis Matodashaj ishte dyshuar në vitin 2013 si një nga autorët e vrasjes së një kushëriri të tij në lagjen “11 Janari” në Vlorë.

Ngjarja u parandalua pasi ditën kur Amarilo Nikolli në Gusht 2023, kishte dalë për të kryer krimin nga një kontroll fizik iu gjet një pistoletë me silenciator dhe 14 fishekë.

Tv Klan