Pas operacionit të autoriteteve të Kosovës në veri të vendit, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kërkon nga Bashkimi Evropian një reagim “konkret dhe të qartë” për mbrojtjen e serbëve në Kosovë.

Kërkesën Vuçiç ia përcolli përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak gjatë takimit që ata patën në Pragë gjatë Samitit të Sigurisë, GLOBSEC.

Përmes një postimi në Instagram, Vuçiç tha se ka pasur një bisedë të hapur me Lajçakun, ndërsa theksoi se i ka përcjellë atij “shqetësimin e jashtëzakonshëm për dhunën e fundit në Kosovë dhe Metohi, për shkeljen e përsëritur të të drejtave të njeriut dhe për rrezikimin e sigurisë së popullatës serbe nga lëvizjet arrogante dhe ilegale të Prishtinës”.

Ai tha se pret reagim nga BE-ja dhe “jo vetëm dënimin e veprimeve të tilla”.

Tv Klan