2 autorët e maskuar lëvizinin me Audi

“Sapo përshëndeta djalin e xhaxhait tim në hyrje të Niklës, një makinë që kisha nga pas më qëlloi”.

Kështu e rrëfen Marklen Haka sulmin me armë të ngritur ndaj tij mesditën e së mërkurën në zonën e Fushë-Krujës.

Nga Spitali i Traumës ku vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve, Marklen Haka ka deklaruar para hetuesve se kishte vënë re që një makinë e ndiqte nga pas.

“Sapo kam hyrë në rrugën e Niklës, kam ndaluar një moment pasi jam përshëndetur me djalin e xhaxhait tim. Teksa kam qëndruar, nga makina që kisha nga pas dhe që e kisha vënë re disa herë përmes pasqyrës, është qëlluar me armë drejt meje në një distancë të vogël”.

Burime nga grupi hetimit i thanë Tv Klan se pak para atentatit Haka ka qenë në një lokal në zonën e Tapizës. Pasi ka lënë atë, ai ka marrë drejtim për në Nikël, kur një automjet tip Audi A8 ngjyrë e zezë me targa italiane e ka qëlluar rreth 17 herë me automatik.

Autorët dyshohet se kanë qenë dy persona të maskuar, njëri prej të cilëve ka hapur zjarr nga sedilja e pasagjerit. Pasi e kanë qëlluar, makina e atentatorëve është larguar në drejtim të Fushë-Krujës.

E shkuara e Marklen Hakës është pista ku është përqëndruar grupi hetimit. I riu nga Nikla dhe më herët ka qenë në shënjestër të atentateve. Rasti më i fundit ka qenë në 2019 kur në drejtim të tij u lëshuan rreth 100 plumba dhe 31-vjeçari mbeti i plagosur ndërsa humbi jetën halla e tij.

Tv Klan