Atentatorët mund të kenë ngatërruar person



Atentatorët mund të kenë ngatërruar person

11:10 02/02/2021

Dyshohet se objektiv i atentatit ka qenë vëllai i Shkëlzen Kastratit

Shkëlzen Kastrati mund të mos ketë qenë shënjestra e atentatit të së hënës në Fier, por dyshohet se ekzekutori ka ngatërruar person. 41-vjeçari nga Kukësi ngjason shumë me të vëllain, Kelment Kastrati, të cilit i është bërë edhe njëherë atentat në vitin 2016 kur mbeti i plagosur dhe hetuesit besojnë se ky i fundit mund të ketë qenë sërish objektivi. Policia ka shoqëruar disa persona në lidhje me ngjarjen, por ende nuk ka asnjë gjurmë nga autori. 

Gjithashtu janë sekuestruar kamerat e bizneseve të zonës që mund të çojnë në identifikimin e tij pasi mësohet se atentatori ka qenë pa maskë në momentin kur qëlloi për vdekje Kastratin. Pista ku janë përqendruar hetimet është ajo e hakmarrjes pasi familja Kastrati është përfshirë në konflikte me një tjetër familje. Hetuesit e lidhin vrasjen edhe me atentatin e Janarit të vitit 2016, ku mbeti i plagosur Kelment Kastrati.

Shkëlzen Kastrati u qëllua me automatik me kallashnikov në momentin kur po lëvizte me automjetin në pronësi të tij që 41-vjeçari e kishte blerë në Amerikë. Atentatori e qëlloi Kastratin nga pjesa e pasagjerit duke bërë që ai të humbiste kontrollin dhe të përplasej edhe me një makinë tjetër të rastit.

Klan News










Të ngjashme