168 milionë $ fitime për 2020, kreditë e këqija 8.11%

Bankat kanë mbyllur me fitim një vit të vështirë financiar për ekonominë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, 12 banka që operojnë në vendin tonë fituan në total vitin e shkuar 168 milionë Dollarë, duke pësuar një tkurrje të fitimit të tyre me 30 milionë Dollarë krahasuar me 2019-n.

Ky është rezultati më i dobët financiar, me një rënie 15% të fitimit, që prej vitit 2016.

Pavarësisht situatës së pandemisë dhe pezullimit të pagesës së kësteve për individët e bizneset për 6 muaj, treguesit financiarë të të ardhurave nga interesat për sektorin bankar rezultojnë me rritje.

Me përmirësim rezultojnë dhe të ardhurat nga aktivitete të tjera, siç janë kursi i këmbimit apo investimet në bono thesari, ndërsa një rënie të lehtë kanë shënuar arkëtimet nga gjobat e komisionet.

Shpenzimet për interesat e depozitave janë tkurrur për shkak të uljes së interesave për depozitat me afat, ndërsa kanë arritur në nivelin më të lartë të 3 viteve shpenizmet për provigjonet e kredive të humbura.

Pavarësisht kësaj, kreditë e këqija vazhdojnë të qëndrojnë në nivelet më të ulta historike. Në fund të Dhjetorit të vitit të shkuar, huatë me probleme zinin 8.11%  të totalit të portofolit.  

Tv Klan