“Të mobilizohemi për të penguar këtë atentat ndaj fjalës së lirë”

Kundërshtisë së shoqatave të gazetarëve se paketa antishpifje e hartuar nga maxhoranca që cënon lirinë e shprehjes dhe e kthen shtypin në periudhën e diktaturës, Lulzim Basha iu përgjigj me një zotim konkret. Në një tryezë të organizuar me përfaqësues të medias, kreu i opozitës premtoi se pas ardhjes në pushtet këto dy projektligje do të zhbëhen.

 “Jam sot i gatshëm ta bëj në emër të Partisë Demokratike, në emër të opozitës së bashkuar, një zotim solemn, zyrtarisht publik: Së pari, për anulimin e këtij akti dhe çdo akti tjetër ekzistues apo potencialisht për sa kohë kjo qeveri është në pushtet, për sa kohë cenon standardet minimale, minimale europiane të së drejtës së fjalës dhe shprehjes së lirë. Së dyti, kërkesën për të hartuar së bashku një kuadër rregullator, legjislativ dhe vetërregullues i cili do të hyjë në fuqi që në javët e para të një maxhorance të re të përbërë nga opozita e bashkuar sot. Dhe së treti, duke nisur me praktikën e kasetave, bllokimin e aksesit të gazetarëve dhe kamerave në çdo lloj aktiviteti.”

Përfaqësues të shoqatave të gazetarëve teksa e akuzuan kryeministrin Rama se po censuron fjalën e lirë, i kujtuan Lulzim Bashës se e njëjta problematike ka shoqëruar median edhe kur vendi qeverisjes nga e djathta.

 “Edhe ju kur keni qenë në pushtet s’i keni bërë me ligj por keni bërë komision hetimor, keni pas media që i sulmonit dhe i donit dhe kjo duhet të fillojë me një mea kulpa të asaj që ka bërë PD kur ka qenë në pushtet…”

Ky qëndrim e bëri kreun e opozitës që të kërkojë falje edhe për qasjen që e djathta ka pasur me median.

 “Mea culpa e Partisë Demokratike edhe për ekseset e periudhës ’92-’97, edhe për pjesën tjetër të borxhit moral ndaj medias, ndonëse mendoj se në periudhën e qeverisjes së kaluar ia kemi dalë të vendosim standarde, ndoshta standarde jo ekzistuese siç ishin ato të mosçuarjes për shpifje të asnjë gazetari të vetëm në 8 vite të qeverisjes së Partisë Demokratike. “

Pas tryezës, Basha iu drejtua me një mesazh ndërkombëtarëve dhe qytetareve.

“I bëj thirrje përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha shteteve të tjera mike demokratike, që të bëjnë presion ndaj qeverisë së Edi Ramës për të mos ndërmarrë këtë veprim të rëndë kundër lirisë së shprehjes.

Por ajo që është më e rëndësishmja, ju ftoj ju të dashur bashkëqytetarë pa dallim, që pa lënë anash solidaritetin tonë ndaj viktimave të fatkeqësisë natyrore dhe njerëzore të tërmeteve, të mobilizohemi për të penguar me të gjitha forcat këtë atentat kundër lirisë së fjalës në vendin tonë. Kjo qeveri nuk do mund të na e mbyllë gojën!”

Përsa i përket përfshirjes së faktorit ndërkombëtar, kryerepublikani Fatmir Mediu cili hodhi idenë e prezantimit të një rezolute të përbashkët mes opozitës dhe shoqatave të mediave.

Tv Klan