Rama: 7×7=42 është zgjuar me rritje të shifrave

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, thotë që në dy javët e fundit, qeveria ka dhënë 52 milionë euro pagesa dhe tendera për miq dhe klientë. Për këtë kreu i demokratëve thotë se do të japë fakte nga selia blu në orët në vazhdim.

Gjatë një postimi në rrjetet sociale ai ka sjellë një shembull se si mund të përdoreshin këto para për paketën e ndihmës social-ekonomike.

“Pas pak nga Selia e PD fakte tronditëse se si vetëm këto 2 javë qeveria ka dhënë 52 milion euro pagesa dhe tendera për miq dhe klientë. Ndërkohë shikoni një shembull se si mund të përdoreshin këto para për paketën e ndihmës social-ekonomike që kemi propozuar prej 10 ditësh”, thotë Basha.

Ai propozon që për të vetëpunësuarit në biznesin e vogël, qeveria t’ju paguajë 300 Euro për çdo muaj që biznesi qëndron mbyllur.

“Kostoja e kësaj mase shkon nga 20-25 milionë Euro/muaj”, thotë Basha.

Për punonjësit në bizneset fasonë, call centers dhe operatorë turistikë që janë të detyruar të rrinë në shtëpi, qeveria duhet të mbulojë të paktën pagën minimale kur ata nuk mund të paguhen fare sipas Bashës. Ndërkohë për ata që ua paguajnë pagën, kostoja e pagës të llogaritet si shpenzim i zbritshëm në masën 200% të këtij shpenzimi, thotë kreu i demokratëve.

“Kostoja e kësaj mase nga 25 milionë deri 30 milionë Euro/muaj. Këto janë shpenzime plotësisht të përballueshme për buxhetin kur vetëm një kilometër rrugë e tenderuar kushton 20 milionë dollarë si tek Astiri”, u shpreh kryedemokrati.

Mirëpo i menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama, sipas të cilit deri kur të përfundojë kjo situatë, shifrat që propozon Basha do të arrijnë nivelin e një vendit të G7-s.

“Plani 7×7=42 është zgjuar sot me rritje të shifrave! Deri kur të mbarojë lufta shifrat do kapin nivelin e një vendi të G7-ës! Pritet shifra e parashikuar nga Plani për aktorët e Portokallisë, meqë janë mbyllur në shtëpi ndërkohë që po u bëhet konkurencë e pandershme nga 7×7=42”, shkruan Rama./tvklan.al