Berisha, të premten në “Foltoren” e Lezhës

Lezha do të jetë ndalesa e radhës e ish-Kryeministrit Sali Berisha në vijim të turit të takimeve që ka nisur me bazën demokrate. Takimi me anëtarësinë e këtij qarku vjen pas foltores së Kavajës, ku Berisha shpalli kandidaturën për kryetar të Partisë Demokratike, pas dorëheqjes së dhënë në vitin 2013.

Por kjo lëvizje e Berishës duket se e ka kapur në befasi edhe vetë Lulzim Bashën i cili refuzoi ta komentojë.

Përplasja Berisha-Basha ka shkaktuar jo pak reagim në radhët e anëtarësisë. Disa prej krerëve të degëve të PD-së në takimin e të martës me dyer të mbyllura i kanë kërkuar Lulzim Bashës që të dalë në bazë, duke e bërë përgjegjës për vrasjen e demokracisë në parti.

Edhe nga kjo mbledhje, qëndrimi i kryedemokratit ka qenë i prerë, nuk do të lejoj bunkerizimin e PD-së për interesat personale të Sali Berishës dhe aq më pak mbajtjen e institucioneve paralele.

Sakaq, Berisha po vijon me mbledhjen e firmave për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar që pritet të mbahet në fillim të muajit dhjetor, forum në të cilin lideri historik i demokratëve ka paralajmëruar se do të votohen edhe disa ndryshime statutore, mes të cilave; legalizimi i fraksioneve dhe largimi i kryetarit të partisë në rast kur humb zgjedhjet.

Tv Klan