Osmani: Të flasim me një zë për genocidin serb në Kosovë

Në krah të Lulzim Bashës, të cilin e vlerësoi për qëndrimin pa ekuivok sa i përket sovranitetit dhe shtetit të Kosovës, Presidentja në detyrë Vjosa Osmani ashtu si në parlament dhe në takimin që pati me kreun e shtetit, i bëri sërish thirrje Tiranës zyrtare që përmes një rezolute të dënojë genocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës, me qëllim që të mos falsifikohet historia.

“Është kërkesë plotësisht legjitime kërkesë që nuk do të duhej të haste në vonesa e as në pikëpyetje. Sepse është e domosdoshme që sa i përket krimeve të llahtarshme që Serbia ka kryer në Kosovë nga krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, deri te genocid si qëllimi i qartë i Serbisë që të shfarosë popullin tonë t’i dënojmë bashkërisht dhe me një zë të qartë dhe pa asnjë pikëpyetje të vetme. Sepse vërtet nuk ka pikëpyetje që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë”.

Dhe zotimi i kreut të Partisë Demokratike nuk mungoi, duke premtuar një kthesë rrënjësore në marrëdhëniet mes Shipërisë e Kosovës pas zgjedhjeve të 25 Prillit.

“Zotohem se Kuvendi i ri i Shqipërisë do të miratojë jo thjeshtë dhe vetëm, me vonesë madje, rezolutën për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë, por edhe një kuadër të veçantë që do të obligojë të gjitha institucionet e Republikës të Shqipërisë të jenë edhe një herë në mbështetje totale të institucioneve të Republikës së Kosovës, siç ka qenë rasti deri para pak vitesh, me sukses dhe me prova suksesi të demonstruar. Ne nuk mund të lejojmë që historia të rishkruhet nga agresorët”.

Jo vetëm mbështetja e dialogut Serbi- Kosovë, si dhe aspirata europiane e shqiptarëve në anën tjetër të kufirit, por edhe heqja e barrierave ekonomike ishte premtimi i Lulzim Bashës pasi të ulet në karrigen e kreut të qeverisë shqiptare.

“Një nga vendimet e mia të para si Kryeministër do të jetë heqja e traut në Rrugën e Kombit, si dhe negocimi me qeverinë kosovare për mosvendosjen e asnjë pengese tarifore në autostradën Ibrahim Rugova. Ky sigurisht është minimum”.

Basha tha se pas ardhjes në pushtet qeveria e tij do të bëjë gjithçka që të rikthejë bashkëpunimin në nivelet më të larta, dhe do ta vendosë sërish Shqipërinë në krahun e Kosovës dhe çdo qytetari të saj.

Tv Klan