BBBShqipëria parashikohet të jetë një nga vendet e Europës Juglindore ku fatkeqësitë natyrore do të shkaktojnë më shumë dëme në ekonomi.

Kështu vlerëson Banka Botërore, në një raport të publikuar  mbi impaktin e Fatkeqësive Natyrore në vendet e  Europës Juglindore. Raporti thekson se përmbytjet kanë ndikim kryesisht mbi bujqësinë, turizmin dhe energjinë.

Në raport thuhet se një nga arsyet përse vendi ynë mendohet se mund të preket më shumë nga moti ekstrem, është fakti se më shumë se 40% e popullsisë jetojnë me bujqësi dhe normat e sigurimit për fermerët që preken nga këto fatkeqësi janë tepër të ulëta.

Veç shkatërrimeve në bujqësi, Raporti i Bankës botërore thotë se moti i keq me temperatura ektreme në dimër, ndikon në uljen e prodhimit të energjisë, dëmtoin turizmin dhe ngadalëson ritmet e industrisë së ndërtimit në mbarë rajonin.

Se sa ndikim mund të kenë përmbytjet, Banka merr shembullin e asaj që ndodhi në maj të vitit 2014 në Bosnje Hercegovinë dhe Serbi.

Në Bosnje dëmet nga përmbytjet përllogariten në rreth 15 për qind të PBB-së, ndërsa dëmtimet në Serbi vlerësohen në rreth 4.7 për qind të PBB-së.

Raporti thotë se si pasojë e kushteve të këqia të motit Impiantet e dëmtuara të prodhimit të energjisë u kanë shkaktuar dëme bizneseve në Serbi, ndërsa dëmtimi i të mbjellave cënoi produktin bujqësor në Bosnje dhe Hercegovinë.

Për pasojë Banka Botërore thotë se ekonomia serbe vlerësohet të jetë tkurrur me 2 për qind gjatë 2014, për të tretën herё që prej krizës globale, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina është në stanjacion.

Kjo situatë sipas saj mund të ketë po ashtu ndikim mbi financat e sektorit publik dhe deficitin e llogarive korrente.

Edhe pse Banka Boterore ka parashikuar një rritje në ose mbi 3% për Shqipërinë për vitin 2015 – të, ajo u bën thirrje politikbërësve qe të kthejnë vëmendjen ndaj kërcënimeve të motit, si përmbytjet e thatësirat.

Tv Klan