“Kujdes rritjen e borxhit dhe rikuperimin e punësimit”

Banka Botërore vlerëson se ekonomia e Shqipërisë po rimëkëmbet më shpejt seç pritej, pas krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19. Pas tkurrjes së ekonomisë që arriti në 4% në 2020, raporti i i fundit për Ballkanin Perëndimor vlerëson se vendi ynë do të ketë një rritje ekonomike në 7.2% të prodhimit të brendshëm bruto, më e larta në Ballkanin Perëndimor. Sektorët me performancë më të mirë shihen konsumi, turizmi dhe ndërtimi.

“Gjatë vitit 2021, ekonomia shqiptare ka shfaqur shenja inkurajuese të rimëkëmbjes. Me fuqizimin e rritjes, Shqipëria ka mundësi të forcojë qëndrueshmërinë e modelit të saj ekonomik dhe të zbatojë reformat që do të mbështetin më tej rritjen gjithëpërfshirëse e të qëndrueshme, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik”.

Pas pandemisë shihet në rritje punësimi dhe rënia e varfërisë që pritet të arrijë në nivelet e para krizës. Shqetësim i bankës botërore mbetet rritja e shpenzimeve dhe thellimi i borxhit që tashmë llogaritet 78.6%.

“Vendi nuk ka amortizues të mjaftueshëm në rast të përballjes me një valë të re pandemike. Në mungesë të konsolidimit fiskal, shtrëngimi i kërkesës dhe rritja e normave të interesit në tregun financiar ndërkombëtar mund të çojnë në shfaqjen e riskut të rifinancimit”.

Banka Botërore thotë se pasiguria ekonomike mbetet e lartë në kushtet e rritjes sërish të rasteve të infektimit me Covid-19 dhe shkallës së ulët të vaksinimit. Sipas raportit rikuperimi i punësimit ka qenë më i ngadaltë, ndërsa pagat reale janë në rritje.

Tv Klan