Kryeministrja serbe vizite zyrtare në RMV

Serbia ofron mbështetje të plotë dhe të sinqertë për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Kështu deklaroi kryeministrja serbe Ana Bërnabiq e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Shkup. Bërnabiq nënvizoi se Serbia do të mbetet partner i besueshëm i Maqedonisë së Veriut në të gjitha sfidat. 

“Republika e Serbisë ofron mbështetje të plotë dhe të sinqertë për integrimin europian të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe sa herë që flasim me partnerët europian për integrimin tonë europian, në çdo rast, bëjmë apel edhe që të përshpejtohet rruga për anëtarësim në BE për RMV-në dhe Shqipërinë”.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, foli për përparësitë e nismës “Ballkani i Hapur”.

“Biseduam për mbajtjen e seancës së tretë të përbashkët ndërqeveritare, e cila do të organizohet menjëherë pas formimit të Qeverisë së re në Serbi dhe normalisht biseduam edhe për samitin e radhës të ‘Ballkanit të Hapur’ ku do të flitet për implementimin e memorandumeve të nënshkruara.”

Kryeministri Kovaçevski nënvizoi se shkëmbimi tregtar mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë është mbi 1 miliard euro. Këto komente u bënë në konferencën e përbashkët të dy kryeministrave, në kuadër të samitit “Macedonia 2025”.

Tv Klan