“U them këtyre kriminelëve se do merrni shumë shpejt përgjigjen e merituar”

Kryedemokrati Sali Berisha në një konferencë për shtyp këtë të martë u shpreh se në Shkodër, kandidati i PS, Benet Beci, u ndihmua nga tre banda për të fituar zgjedhjet e 14 Majit.

Sipas Berishës, ai u ndihmua nga Bajrat, Pëllumb Gjoka dhe milionat e Tom Doshit. Berisha theksoi se do i japë përgjigjen e merituar atyre pasi Shkodra nuk mposhtet kurrë.

Pyetje: Folët për banda në Shkodër. Cila është lidhja e Benet Becit me këto banda duke e ditur që është i pari që e përmbys rezultatin në Shkodër?

Sali Berisha: Organike! Lidhja është me Edi Ramën. Benet Beci është përfaqësues. Ti vërtetë e pyet këtë? Shko në Shkodër ti. Ti them unë ty. Pëllumb Gjoka ka mbajtur në pushtim të plotë qendrat e votimit në Velipojë. Kam dërguar atje anëtarin e Këshillit Kombëtar dhe shefin e kabinetit vetëm për të evidentuar, për t’i thënë Pëllumb Gjokës që ne po të shohim se çfarë po bën. Ata kishin qendra që i kishin marrë peng dhe nuk lejonin të afrohej kush. Autokolona e Bajrave me 3 BMW të blinduara, shëtiste rrugët e Shkodrës për të mbledhur vota për Benet Becin.

Tom Doshi me milionat e veta. Shkodra nuk do pranojë kurrë kthetrat e krimit mbi të. U them këtyre kriminelëve se do merrni shumë shpejt përgjigjen e merituar. Nuk mposhtet Shkodra kurrë. Përdorët një megakrim elektoral.

Shkodra është e pamposhtur, ta dinë mirë ata. Shkodra do çajë këtë rrethim, siç ka çarë edhe rrethimet e tjera. Nuk ka këtu asgjë. Shkodranët duhet të votonin të qetë, të lirë, siç u takon. Por jo nën terrorin e bandave. Edi Rama nxori bandat, liroi nga burgu me marrëveshje për të mposhtur votën e qytetarëve të Shkodrës. Ato kurrë nuk do pranohen. Janë të filmuara./tvklan.al