“Edhe Enveri të ngrihej nga varri, deputetët e opozitës as nuk tremben, as nuk tuten.”

Kështu është shprehur kryetari i PD, Sali Berisha pasi Policia e Tiranës referoi në SPAK 23 deputetë demokratë të cilët në seancën e së hënës bllokuan foltoren duke hedhur sende të forta në drejtim të kryeparlamentares Elisa Spiropali si dhe më pas dogjën karriget para oborrit të Kuvendit.

Berisha tha në konferencën për mediat, se aksionin që ka nisur opozita nuk mund të ndalojë asnjë lloj presioni që vjen me orientim të qeverisë.

Sali Berisha, kryetar i PD: Të gjitha këto janë akte të një regjimi kriminal, i lidhur kokë e këmbë me krimin dhe drogën, me të cilin kërkon të shuajë zërat e opozitës.

Një përgjigje pati dhe për ndërkombëtarët të cilët dënuan aktet e dhunës në Parlament.

Sali Berisha, kryetar i PD:  PD ka respekt për partnerët ndërkombëtarë, por ka respekt edhe për popujt e vendeve partnere, të cilët sa herë gjenden përpara një padrejtësie, i japin përgjigjen e tyre të merituar cilitdo.

Duke u bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së 7 Tetorit, Berisha nuk dha një përgjigje të qartë se si do të vijojë aksioni i opozitës në terren.

Sali Berisha, kryetar i PD: Nuk mund të them as të përditshme as të përjavshme por të vazhdueshme deri në rikthimin e votës së lirë dhe qeverisë teknike.

Në kuadër të bashkimit të forcave, në selinë blu u mblodh dhe Federata e Opozitës, në të cilën partitë koordinuan bashkëpunimin e tyre për protestat.

Klan News