Qytetet nisin të përshtatin infrastrukturën

Bogota, Berlini, Budapesti, Meksiko dhe Vankuveri janë 5 qytetet e para që po marrin masa konkrete për t’ju përshtatur kushteve të reja shoqërore që po krijon në botë koronavirusi.

Autoritetet lokale të këtyre qyteteve kanë në plan që të shndërrojnë disa arterie të mëdha që aktualisht përdoren për qarkullimin e automjeteve, në rrugë të mëdha për biçikletat. Masat e distancimit social, që me shumë gjasa do të qëndrojnë në fuqi për një kohë të gjatë deri në zbulimin e një vaksine kundër Covid-19, mund të nxjerrin jashtë funksionit transportin publik.

Nëpër autobusë dhe trena është e pamundur të kryhet transporti masiv i pasagjerëve, pa e shkelur distancën sociale prej 1.5 metrash. Për më tepër këto mjete transporti janë të mbyllur dhe shtojnë rrezikun e infektimit në masë të pasagjerëve.

Si zgjidhje, autoritetet e këtyre 5 qyteteve shohin nxitjen e popullsisë të përdorë masivisht biçikletat për të shkuar në punë, apo për të kryer aktivitete të tjera për të cilat deri më sot shfrytëzonin transportin publik.

Ato shihen mjeti ideal i transportit ku mund të ruhet distanca prej 1.5 metrash nga njeriu tek njeriu dhe të shtohet shpejtësia e lëvizjes, përveç benefiteve të tjera shëndetësore që ofron. Shtimi i qarkullimit të biçikletave synohet të ruajë në të njëjtat nivele cilësinë e ajrit nëpër këto qytete me periudhën e karantinës.

100 kilometra rrugë shtesë pritet t’i kushtojë kryeqyteti kolumbian biçikletave. Berlini po krijon një rrjet të ri të korsive të verdha. Kryeqyteti meksikan ka në plan minimalisht t’i katërfishojë korsitë e biçikletave.

Tv Klan