Pikat e vaksinimit bosh, spitalet Covid plot me pacientë

Interesimi për vaksinim kundër Covid-19 ka rënë dukshëm. Në pikat e vaksinimit mund të vërehen pak njerëz që kryesisht po marrin dozën e tretë të vaksinës. Nga ana tjetër Kovid-Qendrat janë të stërmbushura me pacientë të cilët nuk kanë marrë asnjë dozë të vaksinës kundër Covid-19.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, thotë se masa të reja kufizuese për të pavaksinuarit nuk ka për momentin, por për këtë do të diskutojnë nga java e ardhshme.

“Sistemi shëndetësor tash është i ngarkuar. Covid-Qendrat janë të mbushura  me qytetarë të pavaksinuar. Të vaksinuarit padyshim se kanë pasqyrë më të lehtë klinike. ne qoftë se kjo rritje vazhdon sërish do të jenë të ngarkuara spitalet ashtu siç janë për momentin në Serbi, Kroaci, Bullgari, Greqi. Apeloj që qytetarët të vaksinohen”, tha Filipçe.

Se ka rënë interesimi për vaksinim flasin edhe pamjet nga pikat e vaksinimit. Për vaksinim janë të interesuar kryesisht të moshuarit për dozë të tretë.

“U vaksinova për shkak të shëndetit dhe për shkak parandalimit të përhapjes së virusit. U bëj apel të gjithëve të vaksinohen që të stabilizohet situata. A janë të vaksinuar familjarët tuaj? Po të gjithë janë vaksinuar”.

“U vaksinova për të mirën e përgjithshme dhe për shëndetin personal, mbrojtje. Besoj në vaksinë”.

“U vaksinova për shkak të shëndetit por edhe për shkak që të lëviz lirshëm”

Ndryshe Komisioni për Sëmundje Ngjitëse nuk ka propozuar asnjë rekomandim për masa të reja kufizuese,  edhe pse ka rritje të rasteve të reja me Covid-19. Ministri i Shëndetësisë thotë se masat aktuale janë të mjaftueshme dhe në përputhje me ato që janë në fuqi edhe në vendet e tjera evropiane.

Tv Klan